Deschamps para finales tregon se si fitohet Kupa e Botës

Periskopi.com Botërori 2018

Didier Deschamps do të kërkojë nesër të triumfojë në finalen e Kupës së Botës si trajner, 20 vite pasi e ka bërë këtë gjë si kapiten i Francës, në Botërorin e shtëpisë.

Ai beson se përvoja që ka nga ajo finale do ta ndihmojë të udhëheqë të besuarit e tij edhe në takimin që “gjelat” do të zhvillojnë ndaj Kroacisë, në finalen e Kupës së Botës “Rusi 2018”. Trajneri karikon skuadrën duke thënë: “Duhet qetësi, besim dhe përqendrim. Janë këto 3 fjalët që kanë rëndësi para këtij takimi”, shprehet Deschamps.

“Rreziku kryesor është Modric, pasi është një futbollist që lëviz shumë shumë në fushë dhe ka teknikë e inteligjencë në lojë, që janë të rëndësishme”, thotë trajneri francez, që pavarësisht kësaj beson se skuadra e tij është më e kompletuar. “Jemi të kënaqur që kemi ardhur deri këtu dhe krenarë që do të luajmë një finale të tillë. Në fund do të jetë rezultati ai që do të thotë nëse kemi luajtur mirë apo jo”, thotë Deschamps, që para dy vitesh u mund në finalen e Europianit, rezultat që sipas tij ka qenë një leksion i mirë.

“Duhet të jemi sa më surprizues në fushë, të befasojmë rivalin çka do të thotë që skuadra ka gjithnjë nevojë për t’u rinovuar. E kemi përgatitur mirë këtë sfidë dhe stafi ka bërë një punë të shkëlqyer, çka na jep shumë avantazh”, thotë Deschamps, që duke e krahasuar këtë finale me atë të 20 viteve më paerë, shton: “Ka shumë diferencë nga ajo kohë, ku isha lojtar në fushë. Kur luan je aktor në fushë, kur je trajner këtë emocion e përjeton përmes lojtarëve që ke në fushë, pasi kjo është një ndeshje që u përket atyre që luajnë. Sukses im është i lidhur me atë të lojtarëve”.