Dëshmia e Johnny Depp për Amber Heard: ‘Shumë e mirë për të qenë e vërtetë’

Dëshmia e Johnny Depp për Amber Heard: ‘Shumë e mirë për të qenë e vërtetë’

Aktori Johnny Depp dha versionin e tij në gjykatë në Virginia në seancën e radhës të gjyqit kundër ish-bashkëshortes Amber Heard. Në dëshminë e tij afërsisht tre orëshe, e cila do të vazhdojë edhe ditën e sotme, Depp foli në detaje për akuzat e Amber Heard për abuzim në familje, historinë me abuzimin me substancat dhe marrëdhënien e tyre.

“Qëllimi im është e vërteta,” tha Depp në fillim të fjalës. Depp pranoi se ai dhe Heard kishin debate gjatë marrëdhënies së tyre, por tha: “Unë vetë nuk kam arritur kurrë deri në pikën që të godas zonjën Heard në asnjë mënyrë dhe nuk kam goditur ndonjëherë ndonjë grua në jetën time”.

Aktori gjithashtu foli për marrëdhënien e trazuar të prindërve dhe abuzimin verbal dhe fizik që ai, vëllai e motrat përjetuan nga nëna e tyre. Depp gjithashtu pretendoi se përvoja e parë me substancat ndodhi kur ishte afërsisht 11 vjeç dhe mori pilulat e nënës “për t’i shpëtuar natyrës kaotike të asaj që po jetonim”.

Depp pretendon se shkrimi i Heard solli humbje financiare për të, duke përfshirë përjashtimin nga filmat e ardhshëm “Pirates of the Caribbean”. Në vitin 2018, për Washington Post, Amber shkroi një artikull ku e përshkroi veten si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”. Depp thotë se artikulli – i cili nuk e përmend atë me emër – është shpifës dhe dëmtoi karrierën e tij. Ai mohon çdo abuzim.

“Një ditë je Hirushja si të thuash dhe pas disa sekondash je Kuazimodo,” tha Depp për mënyrën se si u shndërrua karriera e tij pasi u akuzua për abuzim. “Unë nuk e meritoja këtë dhe as fëmijët e mi, as njerëzit që kishin besuar te unë gjatë gjithë këtyre viteve.”

“Ajo ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë”

Gjyqi filloi javën e kaluar dhe Depp tha të martën se dëshmia ishte “mundësia e parë që i është dhënë për të folur plotësisht për këtë çështje.”

Depp dhe Amber u njohën në xhirimet e “The Rum Diary” në vitin 2009, u martuan në vitin 2015 dhe u përfshinë në një ndarje shumë të diskutueshme ku të dyja palët akuzuan njëri-tjetrin për sjellje të keqe.

Në dëshmi, Depp foli për fillimin e marrëdhënies me Amber, duke thënë se “nga çfarë kujtoj, nga çfarë mbaj mend, ajo ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë”.

“Ajo ishte e vëmendshme, ishte e dashur, e zgjuar, e sjellshme, me humor, e kuptueshme. Kishim shumë gjëra të përbashkëta.” Depp tha se Amber ishte “e mrekullueshme” për ca kohë midis një viti a një viti e gjysmë. Ai gjithashtu përshkroi afrimin me familjen e saj.

“Pastaj gjërat filluan të ndryshojnë – ose gjërat filluan të zbuloheshin, më mirë të themi,” shtoi ai.
Çifti u divorcua zyrtarisht në gusht të vitit 2016, duke publikuar një deklaratë të përbashkët ku thuhej pjesërisht, “Marrëdhënia jonë ishte shumë pasionante dhe ndonjëherë e paqëndrueshme, por gjithmonë e bashkuar nga dashuria”.

Heard nuk ka pasur sukses në përpjekjet e saj për të rrëzuar padinë e Depp. Ajo ngriti një kundërpadi, me vlerë 100 milionë dollarës për shpifje në vitin 2020, e cila është në vazhdim.

Në fund të vitit të kaluar, Depp humbi gjyqin në Mbretërinë e Bashkuar kundër News Group Newspapers dhe Dan Wootton, redaktor ekzekutiv i The Sun, për një artikull që pretendonte se Depp ishte i dhunshëm ndaj Heard kur ata ishin bashkë. Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi në favor të botuesit. Gjatë gjyqit, Depp tha se pretendimet e tabloidit se ai ishte i dhunshëm ndaj Amber ishin “plotësisht të pavërteta”.

Gjykatësit kanë dëgjuar provat e paraqitura nga ish-terapistja e ish-çiftit të famshëm, e cila përshkroi sesi Depp dhe Heard u përfshinë në “abuzime reciproke”.

Psikoterapistja përshkroi një dinamikë të paqëndrueshme midis tyre, ku të dy kërcënonin do të largoheshin nga seancat pas debateve. Sipas psikoterapistes, në më shumë se një rast, Amber Heard filloi ndërveprime të dhunshme si në një përpjekje për të parandaluar largimin e Johnny Depp nga seancat.

Sipas terapistes, Johnny Depp ka qenë “shumë i kontrolluar” për dekada para se të njihte Amber Heard dhe nuk ishte përfshirë në dhunë me partneret e mëparshme. “Me Heard, ai u ngacmua. Ata u përfshinë në atë që unë e shoh si abuzim reciprok,” tha ajo.

Të hënën, një infermiere e cila u punësua për të trajtuar varësinë e Depp nga droga dhe mori pjesë në dasmën e çiftit, dëshmoi se ajo ishte dëshmitare e rasteve kur Amber Heard “përpiqej të nxiste konflikt” me ish-bashkëshortin në disa raste. Ajo ndonjëherë niste zënka teksa ai merrte trajtim mjekësor, tha infermierja Debbie Lloyd.

Të martën, Keenan Wyatt, i cili ka punuar me Depp në pothuajse të gjithë filmat e tij që nga vitet 1990, dëshmoi se nuk e kishte parë kurrë aktorin të kishte dhunuar verbalisht ose fizikisht dy fëmijët e tij ose nënën e tyre (Vanessa Paradis).

Kate James, ish-asistentja personale e Amber Heard, ka dëshmuar se Heard “mendonte se kishte të drejtë të më ulëriste në fytyrë” kur James kërkoi rritje të pagës. Ajo pohoi se Heard merrte barna stimuluese me recetë, ndonjëherë dukej e dehur.

Sipas Kate, Amber Heard shpesh shfaqte “episode maniake, të ngjashme me ato kur dikush merrte ndonjë lloj droge amfetamine. Ecte shpejt, fliste pa kuptim.” Ajo tha se Heard gjithashtu u bë “abuzive” dhe i bërtiste asaj përmes telefonit dhe i dërgonte mesazhe fyese në çdo kohë të ditës. “Unë isha thjesht dikush për të sulmuar.”

Seancat gjyqësore mes Amber Heard dhe Johnny Depp janë ndër më të komentuarat ditëve të fundit. Fansat e aktorit kanë vënë re diçka të çuditshme në veshjet e ish-gruas së tij, Amber Heard, diçka që sipas tyre nuk mund të jetë rastësi.

Shpërndaje në: