Dëshmorët e Podujevës pa shesh, viti i tretë që dështon projekti i komunës

Dëshmorët e Podujevës pa shesh, viti i tretë që dështon projekti i komunës

“Sheshi i Dëshmorëve” në Komunën e Podujevës, ishte planifikuar të ndërtohej qysh para tri vitesh. Projekti i cili është paraparë t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 2 milionë e 200 mijë euro, as gjatë këtij viti nuk ka filluar të realizohet, shkruan Periskopi.

Operatori i cili do t’i kryej punimet  e këtij projekti është zgjedhur qysh në qershor të këtij viti, por në lidhje me këtë projekt tash e katër muaj komuna ka pranuar ankesa nga operatorët tjerë, çka po e vështirëson fillimin e punimeve.

Duke qenë se ky projekt nuk pritet të filloj ndërtimin as këtë vit, një pjesë e mjeteve të destinuara për të që kapin vlerën e 382 mijë eurove, të planifikuara për këtë projekt dy vjeçar (24 muaj), janë rialokuar në projekte të tjera infrastrukturore të vitit 2019.

Shqetësim për mos-kryerjen e këtij projekti deri më tani nga Komuna, ka shprehur asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Podujevës, Fitim Muçolli, i cili e quajti “papërgjegjësi të komunës” këtë dështim.

“Sheshi i dëshmorëve në komunën e Podujevës ka dështuar për herë të tretë, e kjo është më shumë se shqetësuese. Duhet ngritet menjëherë alarm për papërgjegjshmërinë e komunës në këtë projekt të rëndësishëm. Ky dështim i cili po ndodhë për të tretin vit radhazi do të ndikojë që rreth 4 milionë euro të mbesin tepricë buxhetore që është dyfishi i asaj që është investuar këtë vit në komunë”, ka shkruar Muçolli në facebook.

Sipas Muçollit, janë shpenzuar vetëm 2 milionë e 961 mijë euro nga 6 milionë e 701 mijë sa ishin të planifikuara nga buxheti i Komunës.

E në një përgjigje për Periskopin, zyrtari për medie i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi tha se faji për mos fillimin e punimeve të këtij projekti, nuk është I Komunës, pasi ata po presin shqyrtimin e Ankesave nga Paneli Shqyrtues i Prokurorimit Publik.

“Komuna e ka shpallur fitues operatorin më të lirë dhe më të përgjegjshëm, që ka konkurruar në këtë tender. Mirëpo, që nga atëherë ka pasur ankesa nga operatorët e tjerë edhe pse më të shtrenjtë, e këto ankesa janë shqyrtuar nga Paneli i Shqyrtues i Prokurimit Publik. Komuna është në pritje të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe në momentin që vjen ky vendim Komuna do ta ftojë Operatorin Ekonomik (kompaninë fituese të tenderit) që të fillojë punimet”, thuhet në përgjigjen e Elezit për Periskopin.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja për të cilën Komuna nuk ka arritur të filloj ende me punën në këtë projekt.

“Meqë, këto procedura janë zvarritur tash e 4 muaj, pa fajin e Komunës, kjo ka bërë që të shtyhet edhe afati i fillimit të punimeve. Prandaj një pjesë e mjeteve, në vlerë prej 382 mijë euro, të planifikuara për këtë projekt dy vjeçar (24 muaj), janë rialokuar në projekte të tjera infrastrukturore të vitit 2019. Ndërsa, mjetet e mbetura do të shfrytëzohen nga Operatori Ekonomik për fillimin e punimeve gjatë këtij viti”, tha ai.

 

Shpërndaje në: