Dështimet e qeverisë Mustafa nuk kanë fund!
Ekonomia e Kosovës vazhdon ta vuaje mungesën e investimeve të huaja dirikte. Vetëm në 6 muajt e parë këtij kemi 50% rënie të investimeve të huaja direkte, krahasuar me meridhën e vitit të kaluar. Natyrisht do të duhej të ishte e kundërta. Kjo është plaga më e madhe që po e vuan Kosova në perspektiven e zhvillimit te saj ekonomik.
Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë, deri në qershor 2016, arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Deficiti në tregtinë e mallrave u karakterizua me një rritje vjetore prej 10.4 për qind në gjashtë mujorin e këtij viti, kryesisht si pasojë e rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve.
Biznesi vendor vazhdon të ballafaqohet konkurrence të egër të importit. Qeveria ka dështuar të favorizojë prodhuesit vendorë, duke i bërë të pakonkurrueshëm me importin. Politika fiskale ka dështuar të krijoje klimë të favorshme për prodhuesit të cilët vazhdojnë të paguajnë akcizë në lëndën e parë dhe pjesët e tjera rezervë për prodhim.
Projekti madhor i Brezovicës ka dështuar gjate mandatit të kësaj qeverie, ndërsa projekti tjetër madhor, më i madhi dhe më i rëndësishmi për ekonominë e vendit Termocentrali Kosova e Re është në prag të dështimit. Janë bërë tashmë 6 muaj që kur është dashur të nënshkruhet kontrata, ndërsa edhe sot opinioni publik nuk e di se çka realisht po ngjet me këtë projekt të madh.
Te pjesa e zhvillimit dhe mbushjes se buxhetit, kjo qeveri ka bërë një gabim të pafalshëm kur ka lejuar importin e makinave më të vjetra se 10 vjet. Si rrjedhojë sot Kosova e Prishtina e vuajnë ndotjen më të madhe të ajrit në gjithë historinë e tyre. Prishtina siç e pamë, para ca dite, e edhe sot, ishte qyteti me ajrin më të ndotur në botë.
Ndërkohe ka degraduar procesi i dialogimit Kosove-Serbi. Një mur ndarës është ndërtuar në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Kjo është pjesa më e rrezikshme në 16 vite pas luftës, që thellon hendekun mes veriut e jugut të qytetit dhe përfundimisht legjitimon ndarjen e qytetit në dy pjesë jo vetëm me ligje por edhe me mure. Asnjë veprim i fuqishëm dhe i vendosur nga Qeveria nuk është ndërmarrë.
Arsimi dhe shëndetësia kanë thelluar nivelin e mjerimit. Raporti i PISA-s legjitimoi nivelin e injorancës së shoqërisë në Kosovë, duke na renditur në kreun e listës botërore të “analfabetëve funksional”.
Ne institucionet tona shëndetësore mungojnë ende barnat esenciale, një numër i madh i pajisjeve teknologjike në spitalet tona janë lënë me shkas jashtë funksionit, për të favorizuar klane e grupe të caktuara të interesit me karater privat.
Dhe çka është dështimi kryesor, sigurimet shëndetësore, nuk do të bëhet as në vitin tjetër.
Proceduralisht te në vitin 2018 qytetarët e Kosovës mund të kenë sigurime shëndetësore.
Shëndetësia e arsimi vuan edhe nga një numër i madh problemesh të tjera të cilat do t’i adresojmë një herë tjetër.
Investimet kapitale në infrastrukturën rrugore janë ndërprerë. Në mungesë të grupit të ekspertëve të kërkuar nga donatoret arabë, është ndërpre puna me autostradën në drejtim të Mitrovicës.
Gjithashtu projekti tjetër kapital i aksit rrugore Komoran – Skenderaj – Mitrovicë është ndërprerë nga Ministria e Infrastrukturës, e cila po ashtu ka ndërpre një numër të madh investimesh kryesisht në Drenicë dhe komunat e Dukagjinit./Indeksonline/



