Dështoi raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit, çfarë ndodh tani?

Dështoi raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit, çfarë ndodh tani?

Kuvendi i Shqipërisë ka dështuar të zgjedhë kreun e ri të shtetit në raundin e parë. Seanca plenare e ditës së hënë e mbajtur në orën 17:00 ka zgjatur vetëm 3 minuta, aq sa ka mjaftuar që deputetja Klotilda Bushka, të njoftojë zyrtarisht se nuk është regjistruar asnjë kandidaturë nga palët për presidentin e ri, brenda afateve të përcaktuara nga ligji.

Sipas vendimit të Konferencës së Kryetarëve pak ditë më parë, u vendos që Kuvendi të ezauronte ditën e sotme  në datë 16 maj raundin e parë të votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit. Por siç u konfirmua edhe sot nga të gjitha palët, raundi i parë u ezaurua pa një emër duke bërë që zgjedhja të lihet për katër raundet e tjera.

Kjo ishte paralajmëruar më herët, pasi socialistët kanë konfirmuar se nuk do të dilnin me një emër të tyrin në raundin e parë për t’i dhënë mundësinë edhe opozitës të jetë pjesë e procesit. Nga ana tjetër, pavarësisht mungesës së madhe të besimit mes palëve, Grupi Parlamentar i PD-së, përfshi edhe aleatët kanë pranuar që të bëhen pjesë e procesit duke dhënë edhe paralajmërime të forta ndaj socialistëve që të mos i përdorin ata vetëm për të legjitimuar procesin dhe më pas ta zgjedhin vetë Presidentin me votat e tyre.

Këtë e tha qartë edhe Enkelejd Alibeaj javën e shkuar duke theksuar se maxhoranca nuk mundet që të zgjedhë me votat e saj Presidentin pasi pjesë e Grupit Parlamentar të PS-së janë sipas tij edhe 4-5 deputetë të mbështetur nga Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA-të.

Alibeaj theksoi se një votim i tillë do të ishte jolegjitim, ndërkohë që nuk u takua me socialistët, ndryshe nga Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Kjo u vërtetua edhe gjatë ditës së sotme. Kujtojmë që opozita javën e shkuar depozitoi edhe një draft me të gjitha kërkesat dhe kriteret që sipas tyre duhet të përmbushë kandidatura për kreun e ri të shtetit.

 

Të martën Konferenca e KryetarëveDitën e martë në orën 10:00 mblidhet Konferenca e Kryetareve për të caktuar datën e raundit të dytë për Presidentin. Afati maksimal i mbajtjes se seancës është data 23 maj.

Çfarë ndodh tani?

Ndërkohë që të hënën është ezaurar raundi i parë pa një emër, kjo u jep kohë palëve që deri në raundin e dytë të gjejnë emrat, të cilët do të fusin në votim. Me kalimin e raundit të parë pa një emër, ulen shanset e opozitës për t’i bërë presion maxhorancës për dakordësi pasi në dy raundet e fundit, pra të katërtin dhe të pestin, PS do të ketë mundësi që ta votojë Presidentin edhe me 71 vota duke e legjitimuar këtë edhe me faktin se nuk mund ta çojnë vendin në zgjedhje sërish pas më pak se një viti e gjysmë pas prillit 2021.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra sëfundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin.

Shpërndaje në: