Detaje të reja: Vajza që u dërgua pa shenja jete në spitalin e Ferizajt ishte 18-vjeçe, policia zbulon vendin e krimit

Periskopi.com Lajme

Një 32-vjeçar dhe një 29-vjeçar janë dy të dyshuarit kryesor për vdekjen e M.O, 18-vjeçare, që u dërgua pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nën pranga ka përfunduar A.S, mashkull kosovar, i moshës 32-vjeçare që është intervistuar nga policia, e me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Megjithatë, në kërkim mbetet ende D.K, 29-vjeçar.

“Policia kanë arritur që të arrestojnë njërin , të dyshuarin me inicialet A.S ( M/K) i moshës 32 , i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj , i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D.K (M/K) i moshës 29 vjeçar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Rasti, sipas njoftimit të policisë ka ndodhur të dielën, rreth orës 15:08 minuta, ku viktima ishte dërguar pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt.

Dy të dyshuarit ndërkaq ikën në drejtim të panjohur.

“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, pasi ka pranuar rastin ‘’Hetim mbi vdekjen’’, ka nisur hetimin e rastit që ka ndodhur, sot rreth orës 15:08 , ku një person e gjinisë femër, ishte sjellë pa shenja jete nga dy persona të dyshuar, në Qendrën Emergjente në Ferizaj, të cilët pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur”, thotë policia tutje.

Identiteti i të dyshuarve është bërë i ditur nga kamerat e sigurisë, ku është gjetur gjithashtu edhe vendi i krimit.

“Në lidhje me këtë, hetuesit rajonal, pasi kanë grumbulluar disa informacione në terren , kanë siguruar prova materiale, përmes kamerave të sigurisë dhe deklarata, ku kanë gjetur edhe vendin e krimit, që është kryer në një objekt banesorë të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarje”, bëhet e ditur.

“Pas kësaj, policia kanë arritur që të arrestojnë njërin , të dyshuarin me inicialet A.S ( M/K) i moshës 32 , i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj , i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D.K (M/K) i moshës 29 vjeçar”, thuhet tutje.

Viktima, sipas policisë, është M.O, 18-vjeçare ndërsa trupi i pajetë i së njëjtës është dërguar për obduksion.

“Ndërkaq, trupi i pajetë dyshohet të jetë i personit , me inicialet M.O (F/K) e moshës 18 vjeçare , e cila është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.  Rasti është cilësuar ‘’Vrasje e rëndë’’ dhe mbetet për procedurë të mëtejmë hetimore”, thotë policia.

Gazeta Insajderi i ka publikuar dje fotografitë e dy personave të dyshuar në këtë rast që po cilësohet “Vrasje e rëndë”, nga organet e rendit.

Fotografitë e tyre dje janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës.

Po ashtu mësohet se vetura me të cilën u dërgua viktima në spital është Audi A8 me ngjyrë të zezë dhe ka targa të Zvicrës.

 

 

Shpërndaje në: