“Dhjetëra” protestues të Kazakistanit u vranë nga policia brenda natës

“Dhjetëra” protestues të Kazakistanit u vranë nga policia brenda natës

“Dhjetëra” protestues u vranë nga policia të mërkurën mbrëma teksa po përpiqeshin t’i pushtonin ndërtesat administrative në Kazakistan, tha policia, shkruan Euronews.

“Mbrëmë, forcat ekstremiste u përpoqën t’i sulmonin ndërtesat administrative, departamentin e policisë së qytetit Almaty, si dhe departamentet lokale dhe stacionet e policisë,” u citua të ketë thënë zëdhënësi i policisë, Saltanat Azirbek, nga agjencitë Interfax-Kazakhstan, TASS dhe Ria Novosti.

“Dhjetëra sulmues janë eliminuar dhe identitetet e tyre janë duke u identifikuar”, shtoi ai.

Azirbek po ashtu shtoi se një operacion “anti-terrorist” ishte duke u zhvilluar në një nga rrethet e Almaty, kryeqyteti ekonomik i vendit të Azisë Qendrore, ku trazirat ishin më të dhunshme.

Njoftimi vjen pas mbërritjes në vend të trupave paqeruajtëse nga një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia pas një kërkese të presidentit të vendit teksa protestat antiqeveritare vazhdonin.

Demonstratat në të gjithë Kazakistanin filluan të dielën për gati dyfishimin e çmimeve të gazit, por që atëherë janë rritur duke përfshirë ankesa të tjera, përfshirë kushtet e këqija të jetesës në disa zona, si dhe 30 vjet nën sundimin e së njëjtës parti që nga pavarësia nga Bashkimi Sovjetik më 1991.

Shpërndaje në: