Dialogu me Serbinë dhe sjellja e papërgjegjshme e kryeministrit të Kosovës

Dialogu me Serbinë dhe sjellja e papërgjegjshme e kryeministrit të Kosovës

Takimi i fundit i kryeministrit Kurti në Bruksel, jo vetëm tregoi se po vazhdon ta shmangë dialogimin, por madje dëshmoi se do që  instrumentalizojë për fushatë. Sjellja dhe deklaratat e tij në Bruksel nuk kishin për audiencë të synuar, as Serbinë e as ndërmjetësuesit evropianë në kuadër të dialogut, por elektoratin e Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve lokale që po afrojnë në tetor. Me plagët e luftës ende të hapura, është e natyrshme që dialogu me Serbinë të jetë një ndër gjërat më të pakëndshme e jopopullore që mund të bëj një lider politik kosovar. Negociatat me armiqtë janë si të merresh me patatet  nxehta, edhe po nuk të dogjën, të nxijnë. Vetë dallga masive emocionale e panevojshme me të cilën po trajtohet në opinion publik koncerti i Bregoviqit është ilustrative se sa e vështirë dhe e rëndë është që të merresh me Serbinë. Prandaj Kurti i largohet dialogut të mirëfilltë si djalli temjanit. Mirëpo kapiteni i mirë njihet në stuhi, dhe pikërisht për këto tema të vështira bëhet dallimi mes politikanit mediokër kalimtar dhe burrështetas historik.

Dallimin më të mirë mes politikanit dhe burrështetasit e ka pas bërë teologu amerikan James Clarke dy shekuj më parë. Sipas tij: “ Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme; një burrështetas për brezat të ardhshëm. Një politikan kërkon suksesin e partisë së tij; një burrështetas atë të vendit të tij”. Ky është edhe rasti konkreti i Kurtit ,që duke menduar për zgjedhjet e ardhshme dhe partinë e tij, është duke neglizhuar interesat e brezave të ardhshëm dhe të Kosovës.

Në politikë javët e parë në pushtet konsiderohen si “Muaji i Mjalit” të liderit ku opozita, mediat, shoqëria civile, parlamenti e të gjithë faktorët e tjerë i japin një liri apo tolerancë të madhe për t’u rehatuar në karrige, dhe për t’iu dhënë mundësia për t’u dëshmuar duke sjellë ndryshime në mënyrën e të qeverisjes. Mirëpo ai muaj mjalti po kalon për mos të thënë që u shterua që vitin e kaluar kur qeverisi për herë të parë. Tashmë mund të thuhet pa frikë që, lidhur me dialogun, ndryshimi apo “suksesi” më i madh i Kurtit ishte largimi i SHBA-ve si negociator kryesor të procesit. Pra duke denoncuar “thikat mbi harta” që e prisnin Kosovën në Shtëpinë e Bardhë e me veprimet e tjera që ndërmori më pas, ia doli që ta largojë si prioritet prej Uashingtonit për ta çuar në dorë të Brukselit. Fal tij, tanimë SHBA-të nuk kanë më një ambaador si tëdërguarin të posaçëm të presidentit për negociatat e paqes mes Kosovës e Serbisë, por thjesht mbështesin në distancë procesin ku protagonist në ndërmjetësim është Bashkimi Evropian.

Pa dashur që të manifestoj mosmirënjohje për rolin e BE-së, dihet mirë mes ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, që ky transferim drejt BE-së prej superfuqisë së vetme botërore që fatmirësisht është edhe aleati ynë kryesor,  përbën një përkeqësim apo një lloj “ulje në detyrë”. Kjo pasi për vetë nga natyra e vendim-marrjes së komplikuar dhe organizimit në marrëdhënie BE-ja konsiderohet “një gjigant ekonomik, një xhuxh politik dhe një krimb ushtarak” (thënë tekstualisht kështu nga ish -ministri i Jashtëm belg Mark Eyskens në 1991). Pra pa u lidhur me Kosovën, BE në vetëvete nuk ka ndonjë reputacion apo performancë të mirë si negociatore për zgjidhje konfliktesh. Ballkani e ka vuajtur këtë vetë mbi kurriz me dështimet e panumërta të planeve evropianeve të paqes gjatë fillimit të viteve 90-të.

Ajo që e bën më të rëndë këtë fakt është se BE tashmë ka dështuar në disa raste me Kosovën si për shembull me mos-liberalizimin e vizave apo me emisionin EULEX që nuk u shtri në veri. Për më tepër që nuk ka avancuar me vendet mos-njohëse të Kosovës dhe dy personat kyç që merren me Kosovën, Borrell dhe Lajçak, vijnë nga këto shtete.

Për një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, muaji i mjaltit apo magjepsja me Kurtin pas triumfit të tij elektoral, po vazhdon ende të jetë i fuqishëm, dhe ky fakt shpjegon përse sjellja e tij e papërgjegjshme dhe e dëmshme në kuadër të dialogut, është komentuar çuditërisht gjithë lëvdata e admirim. Prandaj tanimë që kanë kaluar disa javë dhe është ftohur disi gjaku nga ekzaltimet e komentatorëve pas deklaratave në Bruksel, është mirë që të bëjmë një reflektim dhe analizë më serioze mbi qënsrimet dhe veprimet e tij dhe pasojat që ato sjellin për Kosovën.

Së pari njëherë dalja me propozime surprizë, duke i nxjerrë ato si letra të fshehura nën mëngë, tregojnë një mos-njohje të procesit të deritanishëm. Po ashtu pretendimi për të nisur gjithçka nga e para, tabula rasa, duke cënuar vazhdimësinë shtetërore, sigurinë juridike lidhur me angazhimet shtetërore të marra tashmë nga paraardhësit e tij, tregojnë mungesë të kulturës shtetërore, njollos Kosovën si shtet jo-serioz dhe përbën një fyerje për ndërmjetësuesit ndërkombëtar. Të gjitha këto e dëmtojnë pozicionin negociator të Kosovës dhe prishin raportin tonë me aleatët, të cilët kanë qenë vendimtar në çdo arritje e janë të doemosdoshëm për mbijetesën e Kosoës. Bashkimi Evropian ka harxhuar pafund burime e energji prej një dekade për të ecur përpara fillimisht me negociatat teknike e mandej me ato politike. Përfaqësueset e politikës së jashtme Ashton dhe Mogherini kanë shpenzuar pafund kohë për ta çuar këtë proces përpara, dhe është padyshim shumë fyese që një lider i ri populist ballkanik, i  një shteti që ka përfituar pafund prej bujarisë së miqve perëndimorë, të dalë gjithë arrogancë e injorim për punën e bërë deri më tani.

Së dyti vetë hedhja e këtyre propozimeve tregon edhe një mos-njohje të formatit dhe objektivave të negociatave.  Mirëpo nga ana tjetër kur u takua me Vuçiqin, as që foli për zotimet e tija shumëvjeçare që i kishte vendosur si parakushte për të negociuar,  me të cilat kishte marrë votat, sikurse ishin kërkim-falja apo reciprociteti. Dialogu i deritanishëm, ka pasur objektiv strategjik  arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon njohjen e ndërsjelltë dhe hap rrugën për anëtarësim në OKB, BE, NATO etj. Fjala e shumëpërfolur gjithëpërfshirëse, nuk është rastësi aspak. Ka dy lloj qasjesh kryesore në negociata, ose e copëzuar pra pak e nga pak si janë kapitujt e hyrjes në BE apo  qenë kapitujt e dialogut teknik që u finalizuar në prill të vitit 2013. Thënë ndryshe, ecet hap pas hapi dike siguruar ujdi për çdo temë ose çështje individuale një nga një. Ose versioni tjetër ku të gjitha temat shterohen brenda një marrëveshje të madhe gjithëpërfshirëse.  Ky është formati aktual i dialogut që bazohet në parimin,”nuk merrremi vesh për asgjë po nuk u morrëm vesh për gjithçka”.             Qasja e parë është më problematike sepse kur  negocion pak e nga pak, negociatori bën lëshime në fazat e hershme, pastaj zbulon se nuk ka mbetur mjaftueshëm për të bërë pazar për kërkesat më ekstreme e temat e rënda që vijnë më vonë e për rrjedhoj procesi bllokohet. Nejse, ka arsye objektive përse është zgjedhur ky format, për të shmangur zvarritjet dhe për të mos lënë bishta përjashta, që neser pasnesër të përdoreshin për të dëmtuar paqen dhe delegjitimuar marrëveshje. Nuk është ky vendi për të hyrë më shumë në hollësin për të treguar epërsitë e kësaj qasjeje, me rëndësi është që ky është formati i dialogut për të cilën Kosova është pajtuar me partnerët dhe palën kundërshtare tash e sa vite, dhe nxjerrja e propozimeve specifike, që do duhej të ishin pjesë përbarëse të marrëveshjes gjithpërfshirëse, tregon mos-njohjen apo mos-kuptimin e formatit të negociatave.

Së treti edhe vetë propozimet ishin të gabuara e madje të dëmshme. Propozimi i parë ishte që Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA. Pra Kurti për dialogun Kosovë Serbi, ishte mjaftueshëm megalloman sa të propozonte si parakusht që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të hiqnin dorë nga aspirata shumëvjeçare për të hyrë në Bashkim Evropian për të zgjedhur një bllok të ngjashëm me EFTA-n të përbërë prej Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës. Shtete këto që kanë refuzuar të hyjnë në BE e kanë krijuar një organizatë tjetër ndër-shtetërore (EFTA) dhe që me përjashtim të Zvicrës, që kanë hyrë në marrëveshje me BE-në në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane. Thënë më troç  ai deklaroi, “unë nuk hyj në dialog nëse nuk detyrohet ta zëmë Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut të heqi dorë nga procesi aktual i integrimit evropian dhe të mjaftohet me një bllok tregtar alternativ. Kurti si një nga shumë kryeministrat që ka pasur e do ketë Kosova, nuk ka të drejtë të devijojë orientimin e integrimit evropian të shtetit të vetë, e jo më të pretendojë që ta bëjnë këtë gjë edhe shtetet fqinje.

Propozimi i dytë për një pakt mos-sulmimi që shpesh interpretohet si marrëveshje paqeje, është akoma më naiv sepse përbën një përpjekje për të nxjerrë disa koncensione që janë faktikisht pjesë e temave të hedhura në tryezë, pa hyrë ende në bisedime. Përpos kësaj, shqetësimin e sulmit “surprizë” e ka trajtuar juridikisht Marrëveshja e Kumanovës, Rezoluta 1244 dhe kuptohet garancia e pranisë së KFOR-it. Kosova ka nevojë për një marrëveshje gjithpërfshirëse finale me njohje të ndërsjelltë, çdo gjë tjetër është devijim nga interesat shtetëror.

Propozimi tjetër, që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi,  është akoma më i çuditshëm. Ky propozim shkon ndesh jo vetëm me parimiet multietnike të sanksionuara prej Kushtetutës së Kosovës por edhe dëmton bashkëkombasit shqiptarë brenda Serbisë. Prishtina e Tirana duhet të kenë për prioritet që të forcojnë e përmirësojnë pozicionin e shqiptarëve të  Luginës së Preshevës,  mundësisht që ta sjellin në nivel të serbëve të Kosovës, dhe jo të kundërtën. Pra përpara se të kërkohet ulja e të drejtave të fituara të serbëve, ne duhet të kërkojmë plotësimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve brenda Serbisë.

Propozimi tjetër mandej ishte po ashtu i kotë duke kërkuar që të hiqej nga delegacioni Veljko Odaloviq meqë ka qenë drejtues politik në Kosovë gjatë luftës. çfarë kuptimi e dobie ka të hiqet një zyrtar përiferik kur delegacionin e prin ish ministri i propagandës së Millosheviqit, pra si të thuash Gebelsi i regjimit gjenocidial. Madje kjo kërkesë në njëfarë mënyre e pastron  imazhin e Vuçiqit  duke thënë se vetëm Odaloviq  ka njollë nga e  kaluara në atë delegacion. Ky veprim amator duke kërkuar kësilloj koncensione josubstanciale e nxjerr konstruktiv Vuçiqin dhe i jep atij mundësinë që mandej të kerkojq leshime substanciale në këmbim.

Takimi i dytë vazhdoi në frymën e të parit, vetëm se fatmirësisht disa propozime nuk i ripërsëritën me përjashtim të asaj të një marrëveshje paraprake paqeje për konsum elektoral të brendshëm në Kosovë. Nuk kishte si të pritej që të pranohej nga Serbia në kushtet kur formati është  “nuk merremi vesh për asgjë, nëqoftëse nuk merremi vesh për gjithçka. Një tjetër novacion butaforik elektoral i takimi të dytë shte ofrimi i tre librave që flasin për krimet e kryera nga Serbia në të kaluarën.

Për hir të së vërtetës tema e ballafaqimit të kaluar nëse trajtohet seriozisht, është e vetmja që meriton vëmendje dhe ka hapësirë për ta përmirësuar pozicionin negociator të Kosovës, duke i dhënë një epërsi morale në arenën ndërkombëtare. Madje kjo ka qenë arsyeja përse ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ndërmori para dy vjetësh nismën e formimit të komisionin shtetëror konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer në Kosovë si dhe vendimin për n themelimin e muzeut të gjenocidit dhe atij të dëbimit. Ajo nismë asokohe nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes por kjo nuk do të thotë që mos të rinisë. Kjo temë nuk mund të trajtohet në mënyrë sipërfaqësore duke dhuruar tre libra për të bërë shoë para elektoratit, por nëpërmjet një strategjie shtetërore rrënjësore të shumëanshme, të ngjashëm me atë që bën Izraeli me Holokaustin apo Ukraina me Holodomorin.

Kjo strategji do të kërkonte ndërtimin e muzeve që dokumentojnë, arkivojnë dhe ekspozojnë krimet e kryera; të qendrave kërkimore që bëjnë botime serioze brenda e jashtë vendit; të financimit të dokumentarëve apo  grante akademike për studime shkencore  rigoroze; të programit të bursave për të kultivuar kuadro vëndas me ekspertizë të nevojshme mes të tjerash për krimet e luftës dhe drejtësi tranzicionale; të organizimit të teksteve mësimore për të rritur vetëdijen qytetare;  të  përgatitjes së programeve sensibilizuese të diasporës dhe trupit diplomatik; të financimit të veprave të artit e filmave artistikë me tematikë të së kaluarës së dhimbshme; të përgatitjes së ekipeve të juristëve për të ngritur raste penale në shtetet mike që njohin juridiksionin universal; të reformimit të sistemit kosovar të procedurës penale për të lejuar gjyqet në mungesë ndaj kriminelëve të luftës; të ndërtimit të ekipit të ekspertëve për të përllogaritur dëmet e luftës etj etj etj. Mirëpo kryeministri Kurti do vetëm shfaqje elektorale e nuk ka ndër mend të bëj asnjë prej këtyre veprimeve serioze për të ballafaquar të kaluarën sikurse e ka dëshmuar, duke mos parashikuar asnjë qindarkë për këto ide në asnjë nga tre buxhetet që ka hartuar si kryeministër.

E vetmja gjë që ngelet për të shpresuar është që kjo sjellje e papërgjegjshme të ketë të bëjë vetëm me interesat e tij elektorale dhe jo me paaftësine apo paguximin e tij për tu ballafaquar seriozisht me sfidën e dialogut. Ngelet për të parë nëse pas zgjedhjeve lokale ka për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme apo jo. E sigurtë është që deri atëhere muaji i mjaltit ka për t’u zvenitur shpejtë, sidomos me ndërkombëtarët.

 

 

Shpërndaje në: