‘Dialogu pa progres, dallimet për Asociacionin dominuan bisedimet me Serbinë’

‘Dialogu pa progres, dallimet për Asociacionin dominuan bisedimet me Serbinë’

Dialogu Kosovë-Serbi nuk solli rezultate konkrete as në vitin 2021. Me vetëm dy takime të nivelit të lartë në Bruksel, marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve ishte larg e arritshme vitin e kaluar.

Pozicionet diametralisht të kundërta për Asociacionin e komunave me shumicë serbe thelluan edhe më shumë polarizimet për ujdinë finale. Madje në shtator, tensionet u rritën mes dy vendeve kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve, zgjidhja e së cilës më pastaj u bë edhe marrëveshja e vetme me Serbinë për vendosjen e “stikersave” në targat e automjeteve të të dy vendeve. Megjithatë e ardhmja e dialogut mbetet ende e paqartë, pasi në prill të 2022 mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Në partinë në pushtet thonë se dialogu është kthyer në binarë nën Qeverinë Kurti, kurse nga opozita thonë se mungesa e një agjende konkrete për dialogun e ka kthyer Kosovën prapa në këtë proces.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, tha për KosovaPress se nuk ka pasur regres në dialog nga ana e Kosovës. Sipas tij, Kosova nuk është pala bllokuese e dialogut, pasi vazhdimisht po paraqesin propozime konkrete.

Nga ana tjetër, kritik shprehet deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili thotë se qasja e ekzekutivit karshi dialogut s’ka qenë e duhura.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se dialogu Kosovë-Serbi edhe në vitin 2021 ka qenë i paqëndrueshëm dhe fragjil.

Ai kritikon edhe BE-në për mosgatishmërinë për ta çuar përpara procesin e dialogut. Teksa vë në pah edhe mundësitë e bllokimit të dialogut për shkak të mospajtimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti kishte paralajmëruar një takim të mundshëm në dhjetor, mirëpo i njëjti nuk ndodhi. Ajo që u vu në pah ishin dallimet për Asociacionin ndërmjet vet kryeministrit Kurti dhe Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

Shpërndaje në: