Diplomati perëndimor: Sivjet aktakuza kundër Thaçit për krime lufte

Diplomati perëndimor: Sivjet aktakuza kundër Thaçit për krime lufte

Presidenti i zgjedhur ka shprehur “përkrahjen e plotë” për gjykatën e re për krime lufte që do të ndjekë penalisht pjesëtarë të grupit gueril të cilin ai dikur e udhëhiqte – pavarësisht pikëpyetjes nëse edhe ai do të ndiqet penalisht.

Hashim Thaçi, që u zgjodh kryetar i shtetit nga parlamenti në muajin shkurt, derisa po përgatitet për të marrë postin e ri, spekulimet po shtohen nëse do të gjykohet në gjykatën e re në Hagë për krimet që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të lartë të UÇK-së.

Thaçi, nofka e së cilit gjatë luftës ishte “Gjarpri”, vazhdimisht i ka mohuar pretendimet për krime lufte dhe akuzat për trafikim të organeve, duke i thënë AFP-së para se të zgjidhej president se “në asnjë rrethanë nuk e kam shkelur ligjin ndërkombëtar”, transmeton Koha.net.

“E di që beteja e Kosovës dhe beteja e UÇK-së kanë qenë beteja të pastra dhe të drejta. Askush s’mund ta rishkruajë historinë”, ka thënë 47-vjeçari, duke theksuar bashkëpunimin e plotë të Kosovës për gjykatën e financuar nga BE.

“I kemi plotësuar të gjitha kërkesat dhe kushtet, dhe për shkak se nuk kemi çfarë të fshehim, përkrahim plotësisht çdo përpjekje për drejtësi”.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, “Gjykata Speciale” do të themelohet në bazë të ligjit të Kosovës, por do të vendoset në Hagë për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve në rastet shumë të ndjeshme.

Ish-kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së (SITF) më 2014 pati thënë se gjetjet e tyre janë shumë konsistente, dhe përfshiu “dëshmi imponuese” për të akuzuar figura të larta të UÇK-së për krime kundër serbëve, romëve pakicave tjera etnike dhe kundërshtarëve shqiptarë.

“Mbi këtë bazë, Thaçi do të duhej të ishte në mesin e atyre që do të akuzohen para fundit të këtij viti”, ka thënë një diplomat perëndimor në Kosovë për AFP-në në kushte anonimiteti.

“Megjithatë, ndërtimi i një rasti të fortë kundër figurës më të lartë politike në Kosovë do të varet në atë se kush do të dëshmojë kundër tij”.

Diplomati tha se ngritja e Thaçit në postin e kreut të shtetit “do të rris rrezikun në çdo padi”, por ai shtoi se presidenti i ri do të “jetë në gjendje të bëjë çdo gjë për të pastruar si emrin e tij, ashtu edhe reputacionin e UÇK-së”.

E kryeprokurori i ri i SITF-së, David Schwendiman, i ka thënë javën e kaluar BIRN-it se “nuk ka amnisti” për askënd që shkel ligjin ndërkombëtar humanitar.

Figura kryesore opozitare, Albin Kurti, ka thënë se është një nevojë më urgjente se krimet e luftës, e që është korrupsioni i pasluftës.

“Nuk mendoj se Thaçi ka bërë gjëra të këqija gjatë luftës, mendoj se ai ka bërë shumë gjëra të këqija pasluftës”, ka thënë Kurti për AFP.

Derisa Kosova po lufton që të sigurojë njohjen e plotë të pavarësisë së saj – e cila ende po refuzohet nga disa vende përfshi edhe Serbinë – analisti politik Bekim Kupina thotë se padia ndaj presidentit do të ishte “një hap shumë i rrezikshëm”.

“Ai përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës… Barra e tij do të binte mbi tërë vendin”./Koha/

Shpërndaje në: