Disa qytetarë shprehen të gatshëm të marrin dozën e tretë të vaksinës, ekspertët sugjerojnë selektim

Disa qytetarë shprehen të gatshëm të marrin dozën e tretë të vaksinës, ekspertët sugjerojnë selektim

Doza e tretë e vaksinës anti-Covid për imunizim tash e ca kohë është duke u zbatuar në disa vende të botës. Edhe në Kosovë qytetarët nuk do të hezitonin ta merrnin dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.

Qytetari nga Prishtina, Shaip Hajrizi thotë se nëse ekspertët shëndetësor do t’ia rekomandonin dozën e tretë të vaksinës do ta merrte pa hezituar.

“Ne si qytetarë duhet t’i dëgjojmë ekspertët shëndetësor pasi ata e dinë më së miri nëse duhet një tjetër dozë e vaksinës. Unë për vete do ta merrja edhe të katërtën nëse këtë e sugjerojnë ekspertët e mjekësisë”, shprehet Hajrizi.

Njëjtë do të vepronte edhe qytetari tjetër Hamdi Sogojeva.

“Nëse është e nevojshme do ta merrja. Po ka shumë të vdekur për çdo ditë”.

Pulmologu Flamur Marku thotë se me dozën e tretë do të ndjehej më i sigurt në vendin e tij të punës.

“Personalisht do ta marr dozën e tretë meqë është rekomandim i OBSH-së dhe ekspertëve shëndetësor. Është rekomandim se shtetet e fuqishme kanë arritur sukses të madh prandaj edhe unë jam pro marrjes së dozës së tretë”, deklaroi pulmologu Marku, përcjell Telegrafi.

Mirëpo epidemilogu Ilir Alimehmeti thotë se doza e tretë rekomandohet për të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike.

“Për disa persona që e kanë imunitetin e dobësuar apo që janë të moshës së trete edhe mund të diskutohet marrja e dozës së tretë të vaksinës, pasi që të njëjtët mund të mos arrijnë imunitetin e nevojshëm me dy vaksina”, deklaroi ai.

Ministri i Shëndetësisë , Arben Vitia thotë se janë në pritje të rekomandimeve nga ekspertët shëndetësorë për dozën e tretë të vaksinave.

Shpërndaje në: