Disa zyrtarë policorë dërgohen në Spitalin e Mitrovicës pas aksionit në veri

Periskopi.com Lajme

Disa zyrtarë policorë janë dërguar për trajtim në spitalin e Mitrovicës për shkak të lëndimeve që kanë marrë gjatë aksionit kundër kontrabandës në veri.

Qytetarët serbë kanë sulmuar me grushte pjesëtarët e policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut pas aksionit kundër kontrabandës.

Express mëson se disa zyrtarë policorë i janë drejtuar spitalit të Mitrovicës për të marrë trajtim mjekësor.

Pas ndërmarrjes së aksionit qindra serbë lokalë janë mbledhur në pjesën veriore të Mitrovicës të cilët edhe kanë sulmuar policinë e Kosovës me grushte duke kundërshtuar aksionin.

Nga videoja e publikuar nga media lokale radiokontaktplus shihen se si policët sulmohen nga qytetarët.

Rruga pranë “Komova kafana” është e bllokuar, ndërsa raportohet se Policia e Kosovës u largua prej aty në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar.

Tymi është parë në drejtim të një pompe pranë një ure. Radio Kontakt Plus ka publikuar një fotografi ku shihen edhe predha të municionit në rrugë.

Pasi përfunduan punë në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, Policia e Kosovës i tërhoqi autoblindat nga Mitrovica e veriut për ta vazhduar aksionin kundër kontrabandës në Zubin Potok dhe Zveçan.