Diskriminimi ndaj fëmijëve të komunitetit RAE, kërkohet përgjegjësi institucionale

Diskriminimi ndaj fëmijëve të komunitetit RAE, kërkohet përgjegjësi institucionale

OJQ “Voice of roma ashkali and egyptians” ka reaguar pasi 10 fëmijë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga komuna e Pejës në ‘Festën e Shkronjave të Abetares’, ishin ndarë në sallën ku po mbahej manifestimi.

Në reagim thuhet se një gjë e tillë është diskriminuese dhe cenon të drejtën e këtyre fëmijëve që festonin bashkë me fëmijët e tjerë dhe kërkon të merren masa adekuate, pasi rasti ka ndodhur në praninë e përfaqësuesve të institucioneve qendrore e lokale.

“Veprimet nga MASHTI dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë, duhen të jenë urgjente dhe efikase në marrjen e masave adekuate ndaj rasteve të tilla që kanë ndikim negativ te këto komunitete dhe shoqëria në përgjithësi”, thuhet në reagim.

OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” dënon ashpër veprimet e tilla përjashtuese dhe diskriminuese të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe kërkon që ky rast të trajtohet në bazë të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

“Është shumë e rëndësishme që përveç se të reagojmë në një ditë si kjo dhe ditët e tjera të kalohen në heshtje, në fakt çdo ditë do të duhej që institucionet e Kosovës të punojnë fuqishëm në parandalimin e rasteve të tilla segreguese dhe të punojnë në aspektin e ndërgjegjësimit të shoqërisë sonë. Andaj kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe marrjen e masave adekuate për rastin në fjalë”, përfundon reagimi.

Shpërndaje në: