Dita e Librit për Fëmijë sivjet vjen me aktivitete të larmishme në Prishtinë

Periskopi.com Kulturë

Libri i ka bërë bashkë edhe një herë organizatën jo qeveritare “ETEA” dhe bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Është 2 prilli – Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë dhe të Rinj – ngjarja që do të mbledhë lexues të vegjël e libradashës në këtë bibliotekë me fillim nga ora 12:00.

Në këtë datë, që shënohet në mbarë botën, OJQ “ETEA” ka përgatitur aktivitete letrare, muzikë e koktej.

Për fëmijët pjesëmarrës janë paraparë këto aktivitete:

– Leximi i mesazhit “Librat na qetësojnë” sponsoruar nga Lituania, përkthyer në gjuhë shqipe nga Selda Safqiu;

– Lexime të veprave letrare nga autorët e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë;

– Promovimi i veprave të Erinë Rrahmani, shkrimtare për fëmijë;

– Shpallja e tri eseve më të mira të fëmijëve nga juria profesionale e përbërë prej tre shkrimtarëve për fëmijë;

– Leximi i tri eseve fituese para audiencës;

– Botimi dhe promovimi i librit “Ndriquesi i jetës” me ese të fëmijëve dhe shpërndarja e tij nëpër shkollat e Prishtinës;

– Aktivitete argëtuese dhe muzikë;

– Koktej rasti, etj.

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë e të Rinj për herë të parë është organizuar ne vitin 1966 nga Jella Lepman themeluese e IBBY (Bordi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë e të Rinj), kjo e fundit organizatë joqeveritare e cila përfshin një rrjet të njerëzve nga gjithë bota të cilët punojnë dhe përpiqen të bashkojnë librin me lexuesit.

IBBY ka për qëllim t’ua japë mundësinë fëmijëve nga mbarë bota qasjen në libra me vlera të larta artistike, të inkurajojë botimet dhe shpërndarjen e librave kualitativ për fëmijë dhe të mbështesë ata të cilët punojnë me fëmijët dhe literaturën për fëmijë.

Me këtë rast, ETEA ka bërë të ditur se kanë filluar punën për anëtarësimin e Kosovës në Bordin Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë dhe të Rinj (IBBY).

Ky manifestim vjen si bashkëpunim mes organizatës “ETEA” dhe bibliotekës “Hivzi Suljemani” me përkrahje nga Komuna e Prishtinës./Periskopi/