Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve shënohet përmes aksionit “Unë isha refugjat”

Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve shënohet përmes aksionit “Unë isha refugjat”

Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve është shënuar sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, përmes aksionit “Unë isha refugjat”.

Qytetarët me këtë rast kanë shënuar emrat për gjithë ata që ishin refugjatë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fjona Haxhismajli nga Organizata “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetarët që kanë qenë refugjatë gjatë luftës, t’i ndajnë rrëfimet e tyre.

“Përmes një aksioni rrugor, ne po e shënojmë këtë ditë duke vendosur fjali se unë kam qenë refugjat, por gjithashtu edhe ‘unë i përkrah refugjatët’. Në këtë mënyrë po angazhojmë qytetarët që në mënyrë simbolike të mbetet një dokument, një mënyrë që të gjithë të jemi pjesë e aksionit. Aty po e nënshkruajnë dhe po e vendosin emrin e tyre, por gjithashtu në këtë mënyrë po kanë edhe mundësinë të ndajnë storjet e tyre, sepse ne kemi krijuar një platformë virtuale ku gjendet në internet, është muzeu virtual i refugjatëve. Aty janë storjet e ndryshme, gjithashtu edhe narrativa të ndryshme të njerëzve, që tashmë kanë ndarë. Prej 2020 është si platformë, njerëzit kanë ndarë storjet e tyre të refugjatëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi storje nga me të ndryshmet dhe nga njerëz të etnive të ndryshme”, theksoi Haxhismajli.

Ajo po ashtu tregoi edhe për platformën, “Muzeu i fëmijërisë së luftës së fundit në Kosovë”, të cilët po mbledhin materiale me përvojat e qytetarëve që ishin refugjatë gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, rreth 1 milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftës në Kosovë dhe secili prej tyre ka një rrëfim në vete. /kp

Shpërndaje në: