Dita nis me takimin Vuçiq – Borrell – Lajçak

Dita nis me takimin Vuçiq – Borrell – Lajçak

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot në Bruksel përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, në kuadër të vazhdimit të dialogut në nivelin më të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pas më shumë se një viti, shkruan Tanjug.

Ndërka, më vonë pritet edhe takimi Kurti – Vuçiq, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke iu referuar takimit të së enjtes.

Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, kryeministri Kurti, ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.

Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.

Pas takimeve me dy zyrtarët, Vuçiq ka thënë se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa presion dhe ultimatume”.

Shpërndaje në: