Ditë të zeza e presin futbollin kosovar: Ja krejt çka ndodhi në hallakamën e FFK-së

Ditë të zeza e presin futbollin kosovar: Ja krejt çka ndodhi në hallakamën e FFK-së

Para pak minutash mbylli punimet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës [FFK] në të cilën u zgjodh Komiteti Ekzekutiv me një mandat katër vjeçar. Ky kuvend u përshkua me shumë incidente pasi kryetari Agim Ademi kërkoi votëbesim edhe pse nuk shkruhej askund në rendin e ditës. 

Ky Kuvend po mbahej në Hotel Emerald në praninë e forcave të shtuara të Policisë së Kosovës.

Befasia me votëbesimin

Në kuvendin zgjedhor na u bë e ditur se nuk ishte vetëm Arijanit Ahmeti kundër kryetarit të FFK-së, i dënuar për vepra penale nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ademi po kundërshtohej edhe nga një numër klubesh, të cilat pas shumë kohësh folën publikisht duke shprehur pakënaqësinë e thellë me parregullsitë që kishin ndodhur.

Ishte Tahir Batatina ai që numëroi emrat e secilit prej delegatëve të cilët edhe pse merrnin rroga nga Ademi ishin ftuar që të votonin. A mund të pritet që punëtorët e Agim Ademit të votojnë kundër tij? Natyrisht, ky përbënte konflikt të hapur interesi dhe duket se kjo u kuptua edhe nga një delegat që kishte marrë ftesë nga FFK-ja.

Ai madje ofroi që të largohej nëse prania e tij nuk ishte ligjore, ndërkohë që drejtori i Llapit, Tahir Batatina deklaroi se ata do të përfundonin në gjykatë për një parregullsi të tillë.

Një delegat nga KF Drenica ndërkohë përmendi edhe parregullsi të tjera nga FFK-ja, duke përmendur një incident ku kishin qenë të pranishme shtatë klube dhe fare rastësisht e kishin kuptuar se iu takonin nga 37 mijë euro, shkruan Periskopi.

Amatorizmi në organizim

Piskama, hallakamë, e skena shumë të shëmtuara prodhoi ky Kuvend Zgjedhor në të cilën madje dëgjuam edhe kryetarin Agim Ademi duke bërtitur me zë të lartë në drejtim të Tahir Batatinës.

“Ulu, ulu, ulu,” i thoshte Ademi Batatinës që vazhdonte të rrinte në këmbë me disa letra në duar.

Po ashtu, një gjest shumë i pahijshëm u pa edhe nga sekretari i FFK-së, Eroll Salihu i cili kapet nga kamerat duke shkuar te një përfaqësues i UEFA-s dhe FIFA-s dhe duke folur me të. Se çka po fliste mund të kuptohet menjëherë më pas, sepse veprimi i parë që e bën disa sekonda më vonë përfaqësuesi nga jashtë është dhënia e mbështetjes për procedurën e votimit në të cilën një herë dolën 29 vota, më pas 31, e fare në fund 34.

U kontestua po ashtu edhe verifikuesi i numrit të votave.

Çka kuptuam?

Ajo që kuptuam është se futbolli i Kosovës ndodhet para një humnere nga e cila mund të mos dalë kurrë. Organizimi i garave, shpërfillja e plotë nga publiku kosovar, kurdisjet dhe fenomenet e tjera të këqija duket se nuk janë rastësore.

Agim Ademi më herët kishte potencuar se fitoi mandat katër vjeçar pas vdekjes së z.Fadil Vokrri edhe pse raportohej se ai po e shkilte statutin dhe thjesht duhej ta çonte mandatin deri në fund.

Por, ja që Ademi më në fund u tërhoq nga pozicioni fillestar dhe tashmë po kërkon votëbesimin të cilit i referohej nganjëherë si vetëbesim. Ose, kështu dëgjohej në atë zhurmë të tmerrshme.

Po ashtu, kuptuam se suksesi i Kombëtares së Kosovës në futboll është krejtësisht meritë e lojtarëve dardanë dhe e trajnerit, ndërkohë që meritë e FFK-së janë problemet me bileta, dhe parregullsitë e panumërta në çdo proces të menaxhuar.

Ditë të zeza e presin futbollin tonë. Më poshtë mund ta shihni një pjesë të asaj që ndodhi në FFK.

https://www.facebook.com/periskopi/videos/174182397188393/

 

Shpërndaje në: