DnV: Fushatë zgjedhore e qetë, por me neglizhencë të masave anti-COVID

DnV: Fushatë zgjedhore e qetë, por me neglizhencë të masave anti-COVID

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një konference për media, sot ofroi vlerësimin për fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër.

DnV u fokusua në çështjet si respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, ofertat programore dhe mënyra e shpalosjes së tyre, kandidaturat dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.

“Tridhjetë ditët e fushatës zgjedhore treguan se mënyra tradicionale e të bërit fushatë me tubime të mëdha, është eklipsuar nga fushata dixhitale. Transformimin dixhitale tëfushatës padyshim e imponuan masat kufizuese anti-COVID, por edhe fakti që platformat ‘online’ ofruan një potencial shumë më të madh, më efikas e më ekonomik në arritjen e masave dhe votuesve. Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim. Ndonëse shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, transparenca për koston financiare të fushatave dixhitalemungon”, u tha në konferencë.

Ata gjithashtu theksuan se fushata zgjedhore nisi me takime me grupe të vogla të qytetarëve dhe me respektim relativisht të kënaqshëm të masave anti-COVID.

“Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës. Në këtë përshkallëzim të situatës kanë pasur ndikim edhe kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve përkatëse”.

“Ndryshe nga fushatat e kaluara zgjedhore, kësaj here shpalosja e programeve politike është bërë që në fillim tëfushatës, element të cilin kandidatët duket se e kanë vlerësuar si përparësi konkurruese në garë. Ofertat e qarta programore, një pjesë e madhe e së cilave kanë qenë të qasshme për publikun, kanë qenë tipar pozitiv i kësaj fushate për shumicën e kandidatëve. Debatet televizive janë organizuar me kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave me shumicë shqiptare, ndërsa debatet kanë munguar në komunat me shumicë serbe. Po ashtu, debate janë zhvilluar edhe në mes të kandidatëve për kuvendet komunale, duke përfshirë bartësit e listave, si dhe në disa raste vetëm me kandidatet gra për kuvendet komunale. Forma e organizimit të debateve televizive, me pjesëmarrje të shumë kandidatëve dhe diskutimit të temave të ndryshme në një periudhë të kufizuar kohore, nuk ka mundësuar elaborim të thukët të programeve nga kandidatët apo “përballje” përmbajtësore të pikëpamjeve midis tyre”, u tha në konferencë.

DnV ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin në zgjedhje për të votuar institucionet e tyre lokale për katër vitet e ardhshme, duke u kujdesur që votimin t’a bëjnë në përputhje me masat anti-COVID.

Shpërndaje në: