Do të udhëtojë në Dubai, shtyhet seanca për të akuzuarin që u premtoi punësim të familjarëve dy policëve

Do të udhëtojë në Dubai, shtyhet seanca për të akuzuarin që u premtoi punësim të familjarëve dy policëve

Për shkak se i akuzuari D.E do të udhëtojë në Dubai, është shtyrë seanca e paraparë të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Mbrojtësi i të akuzuarit E., avokati Visar Vehapi, ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi tij do të udhëtojë në Dubai dhe se nuk mund të paraqitet në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

D.E po akuzohet se duke u paraqitur si biznesmen, kishte kërkuar nga dy zyrtarë policorë që t’ia vënin në dispozicion hyrjet dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij, V.Z, duke u premtuar të njëjtëve punësim për familjarët e tyre. Ai gjithashtu po akuzohet se pas kontrollit nga policia, në banesën e tij i është gjetur dhe konfiskuar arma pa leje.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica ka thënë se ne mungesë të kushteve ligjore kjo seancë nuk mund të mbahet, ndërsa e radhës caktohet më 14 dhjetor 2021.

Ndryshe, i akuzuari lidhur me akuzën për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, e ka pranuar fajësinë më 27 shtator 2021.

Në këtë rast, të akuzuar për zbulim të fshehtësisë zyrtare kanë qenë edhe dy zyrtarët policorë Rr.M dhe F.K, por që për shkaqe të efikasitetit të lëndës ishte veçuar procedura me ç’rast zyrtarët policorë janë gjykuar ndaras nga i akuzuari.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 korrik 2018, dy zyrtarët policorë i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre u është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro për secilin nga ta.

Paraprakisht, më 22 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte marrë aktvendim me të cilin procedurës ndaj dy zyrtarëve policorë, i ishte bashkuar edhe D.E me arsyetimin se provat ishin të përbashkëta.

Këtë kërkesë për bashkim të procedurës, e kishte bërë prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, në seancën e 18 tetorit 2017, pasi sipas saj, E.D, i cili edhe përmendet edhe në aktakuzën e Rr.M dhe F.K, i është ngritur një tjetër aktakuzë për armëmbajtje pa leje dhe ushtrim ndikimi.

Hamiti, kishte thënë se kjo lëndë lidhet me çështjen, meqenëse ka të bëjë me prova të përbashkëta dhe një gjë të tillë, ka thënë se e ka kuptuar pas ngritjes së aktakuzës.

Por, përsëri kjo procedurë për shkak të efikasitetit të lëndës sërish është veçuar, ku dy zyrtarët policorë janë gjykuar ndaras nga i akuzuari tjetër, D.E.

D.E akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “ ushtrim i ndikimit”.

Sipas prokurorisë, D.E janar të viti 2014 ishte takuar me dy zyrtarë policorë ku ishte prezantuar si biznesmen.

Nga të njëjtit kishte kërkuar që numrin telefonik të bashkëshortes së tij, ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je. E të gjitha këto favore i kishte kërkuar, duke iu premtuar policëve Krasniqi dhe Muja, punësim për familjarët e tyre.

Ndërkaq, plotë gjashtë muaj pas takimit dhe ushtrimit të ndikimit te zyrtarët policorë, pas një kontrolli të policisë në banesën e Emarllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar nga ana e policisë.

Shpërndaje në: