‘Do t’i vrasim gjithë shqiptarët’ – Sulmohet brutalisht në Shkup vëllai i Mimoza Mustafës

‘Do t’i vrasim gjithë shqiptarët’ – Sulmohet brutalisht në Shkup vëllai i Mimoza Mustafës

Korab Mustafa, vëllai i këngëtares së njohur Mimoza Mustafa, sot rreth orës 12:00 është sulmuar nga disa persona të panjohur në rrugën “Autokomanda”, prapa stacionit të autobusëve në Shkup.

Mustafa në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në Maqedoninë e Veriut, ka shkuar për të kërkuar punë, dhe duke ecur në rrugën “Autokomanda”, për të dorëzuar një aplikacion, 3-4 persona të panjohur e kanë ndaluar dhe e kanë sulmuar fizikisht.

Siç tha Mustafa, ata jo vetëm që e kanë goditur me shkop gome duke i krijuar dhe lëndime trupore, por edhe e kanë kërcënuar duke i thënë që të gjithë shqiptarët do t’i vrasin.

“Isha duke ec. Është një kafe ‘Berlin”, prapa stacionit të autobusëve, diku 200 metra janë semaforët dhe duhet të kthehesh djathtas për të shkuar tek hotel “Rusia”. Shkova për të kërkuar një vend pune, pasi më kanë thënë që ka dhe shqiptarë që punojnë aty. Ishin diku 3-4 persona më të rritur se unë. Unë jam 30 vjeçare. Në gjuhën serbe njëri më tha ‘Hej ti djalë, ndalu pak’, dhe unë prapë në gjuhën serbe i thash ‘Më fal, a mund të më tregoni se kush jeni ju’. Në atë moment më ka gjuajt me shuplakë. Njeriu gjithmonë e ka frikën sepse je në vend të huaj. I thash më fal a bën me shku se kam me dorëzu një aplikacion për punë. Erdhi tjetri më kapi për qafe dhe më tha ‘Ti duhet ta dish se ku ke ardh’. Unë i thash që kam ardh në Republikën e Maqedonisë, nuk kam hy në gojë të ujkut. E njëri prej tyre e nxori një lloj pendreku (shkop gome), dhe tha ‘Këto i kam vetëm Allfa dhe ne jemi Allfa’. D.m.th ata nuk e flisnin gjuhën maqedonase mirë, dhe njëri nga ishte me uniformë, mirëpo pa emblemë, e një tjetër incizonte me telefon. Kur më goditi, unë rash në tokë. Mu drejtuan duke më thënë ‘Mbaje mend se shqiptari nuk ka me mujt me ec kurrë, as në Maqedoni’, dhe tha që krejt shqiptarët kemi me i vra”, shpjegoi rastin Mustafa.

Pas këtij sulmi, Mustafa ka thënë se nuk ka guxuar ta paraqes rastin në policinë e Maqedonisë së Veriut.

“ U ndala. I shikova, mbeta aty. E thirra një shok, ai erdhi më mori. Në kufi as pasaportën nuk ma kërkuan. Më është dashur të qëndroj në një qendër tregtare “Vero Jumbo”…Nuk kam guxuar ta lajmëroj rastin në polici të Maqedonisë, pasi një nga sigurimi i “Vero Jumbos”, më tha që nëse e lajmëron rastin në polici të Maqedonisë, në momentin që e kaloj kufirin mund të më arrestojnë”, tha ai.

Mustafa po ashtu theksoi se më herët me askënd nuk ka pasur ndonjë problem që do të çonte në aktin e dhunës, dhe se nuk e dinë arsyen e këtij sulmi në Maqedoni.

“Unë askujt keq si kam bërë. Dosje të keqe në Maqedoni dhe Kosovë nuk kam. Jam një njeri që po kërkoj punë në Ballkan. Rasti ka ndodh sot rreth orës 12:00 të ditës. Shërbime mjekësore nuk kam marr, vetëm po du me shku në shtëpi e të qetësohem. Kam shkuar në shumë vende dhe kurrë s’kam pas si ky rast”, tregoi rastin e tij për Telegrafin, Korab Mustafa.

 

Shpërndaje në: