“Dole foli hapur në mes të Prishtinës duke denoncuar represionin shtetëror”, Latifi kujton vizitën e senatorit më 1990

“Dole foli hapur në mes të Prishtinës duke denoncuar represionin shtetëror”, Latifi kujton vizitën e senatorit më 1990

Profesori universitar Blerim Latifi ka kujtuar vizitën e ish-senatorit amerikan në Kosovë më 1990 në kohën kur masat represive serbe ndaj Kosovës ishin në pikën më të lartë.  

Latifi thotë se vizita e Dole u tregoi shqiptarëve të Kosovës se nuk janë të vetmuar dhe se kush ishte i pranishëm e kujton gëzimin e asaj dite.

Ja postimi i plotë i Latifit:

Ishte viti 1990. Një vit më parë Serbia me tankse kishte hequr autonominë e Kosovës të vitit 1974. Gjatë dimrit të atij viti rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga dhjetëra shqiptarë të vrarë nga policia që ishte urdhëruar t’i shtypte me dhunë demonstratat e tyre. Mijëra e mijëra punëtorë ishin përzënë nga vendet e tyre të punës. Një helmim masiv i nxënësve në shkollat e Kosovës kishte ndodhur në ndërkohë. Sigurisht, si një ndër format e terrorizimit të shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit. Serbia në sy të republikave të tjera jugosllave dhe në sy të gjithë botës kishte vendosur sistemin e terrorit shtetëror mbi popullin shqiptar në Kosovë. Dhe askush nuk i kishte reaguar, përjashto Shqipërinë, zërin e të cilës askush nuk e dëgjonte prej kohësh, krejt për fajin e saj. Kështu një dëshpërim i madh kolektiv kishte rënë mbi ne. Nuk donim të nënshtroheshim, por kishim frikë se nuk do të kishim askënd në krahun tonë. Sa e sa herë kjo gjë na kishte ndodhur gjatë historisë

Në gushtin e atij viti një dritë shprese ngrohu zemrat tona. Në Prishtinë kishte ardhur një delegacion senatorësh amerikanë, në krye me Bob Dolin. Vetëm ata që e kanë jetuar atë kohë, e kuptojnë gëzimin e madh të asaj dite. Ishte gëzimi i ndjenjës se nuk ishim të vetmuar e të braktisur përballë terrorit serb.Atë ditë filluam të besojmë se bota kishte filluar të merrte vesh për vuajtjen tonë. Bob Doli foli hapur në mes të Prishtinës duke denoncuar represionin shtetëror. Ne kemi jetuar gjatë me pamjen dhe fjalët e tij të asaj dite gushti të vitit 1990. Besimi ynë në Amerikën i ka rrënjët në ato fjalë. Me to fillon ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.

Miqtë më të mëdhenj të një populli janë ata që i gjenden pranë në orët më të liga të tij.Bob Doli bën pjesë në kategorinë e miqve të tillë të Kosovës. Si i tillë ai do të mbetet monument i përjetshëm në memorien tonë historike.

Shpërndaje në: