Dosja e UNMIK’ut zbulon se kush i vrau Xhemail Mustafën dhe Ekrem Rexhën

Periskopi.com Lajme

Dokumente zyrtare të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, të siguruara nga Albanian Post, për disa vrasje të pasluftës në Kosovë dhe tentim-vrasje, e përfshijnë një ish-deputet të Kuvendit të Kosovës.

Dosja e UNMIK-ut për ish-deputetin me inicialet S.R (emër i njohur për redaksinë) flet për vrasjen e Xhemail Mustafës, ish-anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovë që ishte edhe zëdhënës i partisë dhe këshilltar i lartë për media i presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova, atë të Ekrem Rexhës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atentatin ndaj Fetah Rudit, ish-deputet i LDK-së.

Dosja për S.R., është përpiluar nën dyshimin për “frikësim dhe dyshim i bazuar për organizim të vrasjeve”.

Në këtë dosje që mban datën katër nëntor të vitit 2001, hetuesi Ingolf Niesler njofton shefin e Njësisë Regjionale të Vrasjeve në UNMIK, David Ridenour, se është informuar për disa persona që e monitorojnë vazhdimisht Xhemail Mustafën dhe që njëri prej tyre ka kontakte të rregullta me S.R.

“Zotëri, dje Thomas Reuer, shef i Njësisë Rajonale të Inteligjencës në Pejë, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Inteligjencës në Prishtinë, më kanë informuar se Fadil Suleviqi i ndihmuar nga një person ende i paidentifikuar, dyshohen si monitorues të viktimës Xhemail Mustafa”, thuhet në raportin e hetuesit Niesler për shefin Ridenour.

Fadil Suleviq në atë kohë ka qenë polic i Kosovës. Suleviq u gjet i vdekur me 15 janar të këtij viti afër liqenit të Badovcit që gjendet në magjistralen Prishtinë – Gjilan.

Në dosjen e UNMIK-ut thuhet se “Fadil Suleviqi dhe S.R., takohen në baza të rregullta në një objekt hotelier në periferi të Prishtinës, pronë e M.F (emër i njohur për redaksinë) i njohur edhe me një nofkë ‘F…’, ku sipas inteligjencës Suleviq i raporton aty S.R”.

Raporti zyrtar vazhdon duke sqaruar se tri ditë me radhë para se Xhemail Mustafa të vritej me 23 nëntor të vitit 2010, Suleviq bashkë me një tjetër person kishin monitoruar para banesës së Mustafës.

“Fadil Suleviqi dhe personi i paidentifikuar me 20, 21 dhe 22 nëntor janë vërejtur duke monitoruar me kapelë në kokë të apartamenti i Xhemail Mustafës, aty ku ishte sulmuar për vdekje”, tregon raporti.

Informatat konfidenciale në dosje tregojnë edhe për të dyshuarit për ekzekutimin e Mustafës.

Ingolf Niesler i raporton David Ridenour-it se të dyshuarit për vrasjen e Mustafës janë Avdush Ademaj dhe Ali Kastrati.

Ademaj dhe Kastrati atëbotë ishin pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe në dosje cilësohen si “bashkëpunëtorë të konfirmuar” të S.R.

Ademaj, me nofkën “Loçka” ishte nga Petrova e Shtimes, ndërsa Kastrati nga Dushanova e Prizrenit.

Në përshkrimin e profilit të Ademajt në dosje thuhet se armët e përdorura nga ai ishin një pistoletë gjysmë-automatike 9mm me numër serik 45155 dhe një pushkë gjysmë-automatike Shkorpion 7.65 cal. me numër serik 43175. Për Kastratin nuk ka të dhëna për armë.

Në raport thuhet se Ademaj e Kastrati “pas kryerjes së vrasjes (ata) janë larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën logjistike të personit ende të paidentifikuar”.

Pra personit që për tri ditë më radhë bashkë me Suleviqin kishte monitoruar tek apartamenti i Xhemail Mustafës.

Derisa këta të tre ishin larguar, “Fadil Suleviqi kishte qëndruar në restorantin ‘Hani i Dy Robertëve’, ku Xhemail Mustafa e frekuentonte gati çdo ditë”, potencohet në dosjen e UNMIK-ut.

Suleviq më vonë ishte intervistuar nga Njësia e Hetimeve Regjionale në Prishtinë. Ai mohonte se kishte raporte pune me S.R., por deklaron se ka një detyrim tjetër ndaj tij.

“I detyrohem sepse gjatë luftës me 1998, me ndikimin e tij jam liruar nga paraburgimi në Zonën Operative të UÇK-së në Llap dhe më pas ia kam nxjerr vëllain nga burgu i Serbisë”, pohon dosja.

Në raport tregohet se UNMIK-u kishte ndaluar përkohësisht hetimet për policin Fadil Suleviq, pasi ai ishte duke e udhëhequr një hetim për një rast tjetër.

Dosja po ashtu zbardh faktin se armët me të cilat u ekzekutua Mustafa ishin përdorur edhe në një vrasje tjetër – atë të Ekrem Rexhës muaj më parë – saktësisht me tetë maj të po të njëjtit vit.

“Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren në bashkëpunim me Taskë-forcën Speciale, po ashtu kanë konstatuar se armët e përdorura në vrasjen e Xhemail Mustafës janë përdorur edhe në vrasjen e Ekrem Rexhës, të njohur me nofkën ‘Drini’ në Prizren”, shpalosë kjo dosje e UNMIK-ut.

Rexha ishte vrarë me armë automatike pranë shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në orët e hershme të tetë majit kur kishte dalë nga shtëpia për ta ndezur veturën.

Edhe për këtë vrasje “të dyshuarit e UNMIK-ut janë Avdush Ademaj dhe Ali Kastrati”.

Në vitin 2012 ishte raportuar nga disa media se Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur të identifikojë të dyshuarit për vrasjen e Xhemail Mustafës dhe se njëri nga të dyshuarit rreth organizimit të kësaj vrasje ishte edhe një deputet.

Në këto lajme thuhej se shumë shpejt pritej të bëhej edhe arrestimi i tyre – por diçka e tillë nuk ndodhi asnjëherë.

Shpërndaje në: