Dosjet e gjyqit zbulojnë detajet e abuzimit të Pittit ndaj Joliet

Dosjet e gjyqit zbulojnë detajet e abuzimit të Pittit ndaj Joliet

Argumentet e paraqitura në një gjykatë të martën nga Angelina Jolie pretendojnë se në një fluturim të vitit 2016, Brad Pitt e kapi atë nga koka dhe e tundi, më pas kapi për fyti një nga fëmijët e tyre dhe e goditi një tjetër kur ata u përpoqën ta mbronin atë, raportoi AP-ja.

Përshkrimet e abuzimit në fluturimin privat erdhën në një ankesë të Joliet në mosmarrëveshjen e çiftit për një shtëpi franceze dhe një punishte vere që ata zotëronin bashkë.

Një përfaqësues i Pittit mohoi fuqishëm akuzat e Joliet dhe i quajti ato “një ripërsëritje tjetër që vetëm dëmton familjen”.

Pretendimet për abuzimin në aeroplan u bënë publike fillimisht menjëherë pas fluturimin, por detajet u mbajtën të fshehura në dokumentet e divorcit.

Më shumë detaje mbi pretendimet u zbuluan në fillim të këtij viti kur Jolie ngriti padi kundër FBI-së. Padia thoshte se më 14 shtator 2016, Jolie, Pitt dhe gjashtë fëmijët e tyre po udhëtonin nga punishtja e verës për në Los Angeles.

“Sjellja agresive e Pittit filloi qysh para se familja të arrinte në aeroport, me konfrontimin e Pittit me një nga fëmijët. Pasi aeroplani u nis, Jolie iu afrua Pittit dhe e pyeti çfarë nuk ishte në rregull. Pitt e sulmoi verbalisht atë”.

Pastaj thuhet, “Ai e mori në banjo dhe filloi t’i bërtiste. Pitt e kapi për koke dhe e tundi, më pas e kapi për krahësh dhe e tundi sërish para se ta përplaste për murin e banjos”.

Një nga fëmijët e mbrojti Jolien dhe Pitt e sulmoi.

“Pitt iu hodh fëmijës së tij dhe Jolie e kapi nga pas për ta ndaluar. Për ta hequr Jolien nga shpina, Pitt u hodh mbrapsht në ulëset e aeroplanit duke dëmtuar shpinën dhe bërrylin e Joliet”, thuhet në dosje.

Dokumenti thotë se ai më pas derdhi birrë mbi Jolien dhe birrë e verë të kuqe mbi fëmijët.

Shpërndaje në: