Drejtori i Psikiatrisë: Mos na sillni të pastrehë e bredhacakë në Klinikë

Drejtori i Psikiatrisë: Mos na sillni të pastrehë e bredhacakë në Klinikë

Drejtori i Klinikës Psikiatrike në QKUK, Shaban Mecinaj në një intervistë  për Periskopin ka folur për rastin e një të moshuari nga Vushtrria i cili për katër 4 muaj kishte qëndruar aty, ndonëse gjendja e tij ishte stabile.

Mecinaj ka folur edhe për kushtet brenda Klinikës ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve që të mos u çojnë njerëz të pastrehë e bredhacakë të cilët nuk kanë nevojë për trajtim spitalor.

Intervista e plotë e drejtorit të Klinikës Psikiatrike, Shaban Mecinaj: 

Periskopi: Sa persona po trajtohen aktualisht në këtë spital dhe cilat janë rastet më të shpeshta të sëmundjeve që paraqiten për trajtim?

Shaban Mecinaj: Aktualisht në Klinikën e Psikiatrisë janë duke u trajtuar mbi 40 pacientë. Ndërsa kapacitetet e tërësishme të Klinikës nëpër reparte të ndryshme janë 68 shtretër. Dmth maksimalisht mund të pranojmë 68 pacientë nëpër reparte dhe shërbime të ndryshme.

Sa i përket psikopatologjive, janë të ndryshme. Prijnë çrregullimet e natyrës psikotike, çofshin ato akute ose kronike, pastaj janë çrregullimet afektive, çrregullime të personalitetit, sëmundje të varësisë dhe çrregullime të tjera.

Periskopi: Sa ka qenë koha më e gjatë kur ju e keni mbajtur këtu një pacient në spital?

Shaban Mecinaj: Koha e qëndrimit të pacientëve në Klinikën e Psikiatrisë është e përcaktuar edhe përmes protokollit të trajtimit dhe varësisht nga psikopatologjia që e prezanton, varësisht nga shpejtësia e përmirësimit të gjendjes së tij, atëherë edhe merret vendimi që të lirohen nga Klinika. Mirëpo nganjëherë disa pacientë për rrethana edhe shkaqe të ndryshme,  qëndrojnë më gjatë në Klinikë.

Periskopi: Po flasim më specifikisht për rastin e të moshuarit i cili qëndroi për katër muaj në Klinikë.

Shaban Mecinaj: Ai është një person 60 vjeçar i cili diku në mes të muajit tetor është kthyer përmes Departamentit për Riintegrim, me qëllim që të riatdhesohet në Kosovë. Është kthyer nga një vend perëndimor, konkretisht nga Gjermania. Ky person mund të trajtohet në qendra të shëndetit mendor, ose në rastin më të mirë, në qendrat për ri-integrim, pa problem, ku do të merrte trajtimin e duhur ditor dhe do të gjendej ndonjë strehim për të, i cili do të vazhdonte jetën normale në komunitet.

Periskopi: Cila është gjendja e tij shëndetësore aktualisht?

Shaban Mecinaj: Sado që pacienti ka diagnozë psikiatrike, kjo është një skizofreni kronike. Aktualisht paraqitet si gjendje e stabilizuar. Është në përmirësim të mirë dhe po them se në këto raste ne në Klinikë nuk i mbajmë në këtë situatë.

Periskopi: Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit të tij këtu në Klinikë, a ka pasur vizita prej familjarëve të tij ose prej të afërmve të tjerë?

Fatkeqësisht prej ardhjes së tij në Klinikë, ka pasur vetëm një ose dy vizita nga të afërmit e tij, por jo të familjes së ngushtë. Por nuk kanë premtuar se ky person mund të kthehet në mesin e tyre. Arsyet konkrete ne nuk i dimë. D.m.th rreth çështjes së pasurisë ose nëse ka ndonjë vendbanim që ka pasur.

Mirëpo e dimë që një kohë të gjatë ka qëndruar në perëndim, prej rreth 20 viteve, kështu që edhe personat tjerë, familjarët nuk kanë shprehur interesim që këtë person ta marrin në mesin e tyre. Prandaj ne kemi kërkuar dhe kemi komunikuar me personat zyrtarë për riatdhesim që sa më shpejt këtij personi t’i bëhet një zgjidhje, që ta ketë një vendstrehim, që ta ketë të siguruar një ushqim, një veshmbathje dhe gjithsesi një trajtim ndoshta ditor në qendrën e shëndetit mendor.

Periskopi: Por a dihet nëse ky ka familje të ngushtë? Bashkëshorte ose fëmijë, vëllezër, motra? A keni informacione?

Shaban Mecinaj: Pak a shumë është anomneza familjare pak a shumë është e komplikuar. Kemi kuptuar se ky për një kohë të gjatë ka jetuar në Gjermani, ka qenë i martuar dhe aktualisht është i divorcuar. Sipas tij, ka edhe dy fëmijë. Por ne nuk kemi kontakt, ose njohuri se në çfarë relacioni qëndrojnë prind-fëmijë. Sipas të dhënave që i ofron pacienti, fëmija kanë mbetur në Gjermani.

Periskopi: Si është gjendja me pranimin dhe akomodimin e pacientëve tjerë në klinikë?

Shaban Mecinaj: Klinika e Psikiatrisë ballafaqohet pothuajse çdo ditë me pacientë të cilët janë të pastreh, bredhin rrugëve dhe në fakt i gjen Policia rastet nga brendia e Kosovës, nga Prishtina… që i sjellin në Klinikën e Psikiatrisë padrejtësisht. Ndonëse nuk ka indikacion për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë. Ta zëmë qendra emergjente e qytetit, ose Policia nganjëherë me automjetin e vetë i sjell këta pacientë të cilët i gjen në rrugë diku dhe shumica prej tyre nuk paraqesin ndonjë indikacion absolute për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë. Prandaj unë gjithmonë kam bërë apel edhe në këtë rast apeloj që edhe kujdesin primar shëndetësor sigurisht, që të kenë kujdes dhe të bëjnë treazhimin e këtyre pacientëve në mënyrë të rregullt dhe të dihet se çfarë nevojitet për ta. Për shkak se Klinika e Psikiatrisë nuk mund të jetë qendër e strehimit për të pastrehët ose për bredhacakët të  cilët edhe mund ta kenë ndonjë problem psikiatrik, mirëpo nuk paraqesin problem akut që do të thotë trajtim në mënyrë hospitalore. Prandaj këtë apel kisha dashtë edhe përmes medias suaj që të kenë kujdes dhe këta pacientë të cilët i gjejnë në rrugë, çoftë të alkoolizuar ose që kanë prapambetje mendore, thjesht janë të pastrehë, të shohin çfarë telashe kanë, çfarë problem kanë dhe cilat institucione duhet të merren me ta. Dhe jo vetëm thjesht të merren me apo të sjellën tek Klinika e Psikiatrisë.

Periskopi: A ka raste kur shkaktojnë ndonjë telash pacientët brenda Klinikës ose raste që ikin jashtë Klinikës, bëjnë ndonjë skandal?

Shaban Mecinaj:Në përgjithësi, bazuar në Ligjin për shëndetin mendor, ofron edhe trajtim të pavullnetshëm. D.m.th pacientët të cilët nuk janë koshientë për gjendjen e vetë, kanë gjykimin e afektuar dhe thjesht paraqesin rrezik për veten e tyre por edhe për rrethin tjetër. Atyre iu caktohet trajtimi në kushte të mbyllura ose një trajtim i pavullnetshëm si e quajmë ne. Mirëpo janë edhe repartet e hapura ku pacientët të cilët janë të hospitalizuar, marrin terapinë dhe mund të lëvizin edhe jashtë Klinikës. Natyrisht që ndodh kohë pas kohe që këta pacientë ta braktisin Klinikën, mirëpo shumica prej tyre kthehen me kohë ose disa kthehen edhe me ndihmën e organeve po ashtu.

Periskopi: Veç e kanë lirinë të dalin edhe jashtë Klinikës?

Shaban Mecinaj: Derisa quhet repart i lirë, pacientët mund të lëvizin edhe jashtë Klinikës. Mirëpo paraprakisht, këta pacientë sjellën në gjendje të përmirësimit të kënaqshëm të shëndetit dhe funksionimit. Kështu që e kanë këtë mundësi që të qëndrojnë në repartet e hapura, të marrin trajtimin, por edhe kanë lirinë e lëvizjes, natyrisht deri në oborr të të Klinikës.

Periskopi: Cila janë kushtet brenda Psikiatrisë?

Shaban Mecinaj: Kushtet që ofrohen, aktualisht janë të pranueshme gjithsesi për pacientët, për trajtim, mirëpo ne insistojmë gjithmonë që këto të përmirësohen dhe të jenë më të përshtatshme, për shkak se këta pacientë më pak vizitohen nga të afërmit, shpeshherë nuk e kanë edhe kujdesin e merituar. Edhe sidomos kujdesin familjar. Kështu që krijimi i një ambient sa më të mirë dhe mikpritës në Klinikën e Psikiatrisë do të ishte edhe në interes të trajtimit më efikas të këtyre pacientëve.

Periskopi: Nga sa persona janë të akomoduar nëpër dhoma?

Shaban Mecinaj: Dhomat zakonisht janë me dy ose tre shtretër. Kështu që varësisht nga numri i pacientëve të cilët i kemi, edhe bëhet vendosja. Por repartet janë të ndara në bazë të psikopatologjisë. Më herët ka qenë ndarja në baza gjinore, mirëpo tani kemi vendosur që pacientët të vendosen në bazë të psikopatologjisë.

Periskopi: Sipas statistikave, më shumë ka pacientë meshkuj apo femra?

Shaban Mecinaj: Është e përafërt diku. Nuk ka dallim. Ndoshta përfaqëson atë proporcionin edhe gjinor që është në popullatën e shëndoshë, të them ashtu kushtimisht.

Periskopi: A kanë ndonjë aktivitet, meqë qëndrimi i tyre është më i gjatë krahasuar me pacientët nëpër spitale tjera?

Shaban Mecinaj: Gjatë qëndrimit në Klinikë ne mundohemi që të ofrojmë aktivitete, terapi, d.m.th forma të mbështetjes psikoterapike, forma sikur që janë terapia okupuese, terapia mbështetëse, individuale, grupore etj. Mirëpo zakonisht këto terapi këta pacientë pastaj vazhdojnë t’i marrin edhe në qendrat e komunitetit, siç janë qendrat e shëndetit mendor. Mirëpo Klinika e Psikiatrisë e ndan fatin edhe të klinikave tjera, edhe të QKUK’së që nuk e ka një buxhet të vetin edhe që gjithmonë të planifikojë atë më të mirën që është për pacientët e vetë. Kështu që nganjëherë na mungojnë mjetet të cilat do të mund t’i angazhonim më tepër dhe do të mund t’u ofronim më tepër aktivitete këtyre pacientëve.

Periskopi: I moshuari në fjalë a ka pasur  kërkesa që të bashkohet me familjen ose të kthehet tek ndonjë i afërm tjetër, apo është ambientu dhe qëllimi i tij është që të qëndrojë këtu?

Shaban Mecinaj: Mendojë se me kapacitetet e tij që i ka dhe me aftësinë e të gjykuarit që  e prezenton natyrisht, shohim një tendencë që ai të kthehet në vendin  e origjinës, në vendbanimin e vetë, në fshatin e vetë dhe ta vazhdojë jetën e tij. Mirëpo kjo sigurisht që do të varet nga mundësitë të cilat do t’i ofrojë zyra për Riintegrim të këtyre personave.

Ky rast por edhe raste që tjera për të cilët kërkohet përkohësisht të vendosen në Klinikën e Psikiatrisë, insistoj dhe apeloj që organet kompetente të veprojnë më shpejt dhe në mënyrë më efikase që këta pacientë të dërgohen në vendbanimin e tyre. Nuk do të ishte humane që ne ta largonim pacientin nga Klinika, ta hudhim jashtë Klinikës një person që i cili në fund të fundit është pacient i joni. Sado që është i përmirësuar, i stabilizuar dhe mund të vazhdojë jetën në komunitet. Mirëpo ne apelojmë dhe jemi në kontakt kohë pas kohe me personat të cilët  ekanë për obligim që ta riintegrojnë dhe ta vendosin këtë person në një strehimore ose në ndonjë vendbanim që t’i sigurojnë jetën e mëtejme.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: