Drita fiton në udhëtim ndaj Malishevës, Prishtina mposhtet në Drenicë kurse Ballkani fiton në shtëpi

Drita fiton në udhëtim ndaj Malishevës, Prishtina mposhtet në Drenicë kurse Ballkani fiton në shtëpi

Kanë përfunduar tri ndeshje mjaft interesante të luajtura në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës.

Drita, Prishtina e Ballkani pritej të merrnin fitore sot, e një gjë të tillë nuk e bëri vetëm Prishtina.

Drita fitoi minimalisht në udhëtim kundër Malishevës, me golin e shënuar nga Tahiri në minutën e 85’ të takimit, shkruan Periskopi.

Në anën tjetër, befasinë bëri Drenica, e cila në shtëpi e mposhti skuadrën e Prishtinës, me rezultatin 2:1.

Për Drenicën shënuan Denisson në minutën e 22’ dhe Zabergja në minutën e 64’. Kryeqytetasit gjetën golin me Otto John, por nuk arritën të bënin më shumë.

Ballkani ia doli të  mbante tri pikë në Suharekë, por një paraqitje madhështore e Ulpianës gati mohoi një gjë të tillë.

Ballkani pati një epërsi prej 2:0, me dy gola të Armend Thaqit që erdhën në minutat 5’ dhe 53’, por këtë epërsi nuk e ruajtën.

Ulpiana reagoi me anë të Selimit në minutën e 72’, dhe gjeti golin edhe në frymën e fundit, me Ardi Shalën. Suharekasit patën forcë të reagonin edhe një herë në minutën e fundit, me Hoxhën, për tri pikët.

Drita tani numëron 7 pikë, aq sa ka edhe Drenica në pozitën e parë, kurse Malisheva mbetet me katër pikë, tri më shumë sesa Ulpiana. Ballkani shkon në shtatë pikë po ashtu, kurse Prishtina numëron vetëm një pikë në tri ndeshje. /Periskopi/

Shpërndaje në: