Drita pa Mujën, Nuhiu kërkon maksimumin ndaj Ulpianës

Drita pa Mujën, Nuhiu kërkon maksimumin ndaj Ulpianës

Në prag të ndeshjes së javës së nëntë të elitës së futbollit të Kosovës, Ulpiana – Drita, skuadra nga Gjilani përmes kryetrajnerit Ardian Nuhiut dhe futbollistit Rron Broja, shprehen se sa janë përgatitur për sfidën.

“Tashmë i gjithë fokusi është te ndeshja e nesërme, kemi përballë një skuadër mirë të organizuar s i ë aspektin defensiv ashtu edhe në atë ofensiv. Ata kanë gjithmonë një ide për të dalë përpara dhe për të rrezikuar me kundër sulmin e tyre.

Është një skuadër që ka befasuar në kampionatin tonë dhe për këtë duhet të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm.

Por, mendoj që është momenti që skuadra jonë të dal dhe të tregoj të gjitha cilësitë dhe kualitetin që kemi. Kemi analizuar kundërshtarin, kemi punuar dhe mendoj që jemi gati për të eliminuar pikat e tyre të forta dhe duke sulmuar pikat e tyre të dobëta që mund të paraqiten nesër, duke synuar të marrim tri pikëshin”, theksoi Nuhiu.

Edhe futbollisti, Rron Broja potencoi se pret të reagojnë dhe të tregojnë kualitetin e tyre.

“Kemi punuar mirë në këto dy javë dhe kemi punuar në shumë aspekte që të përmirësohemi sa më shumë. Nesër na pret një ndeshje e vështirë kundër një skuadre e cila mbrohet, por edhe sulmon mjaft mirë. Por, besoj se ka ardh moment që ta tregojmë kualitetin që e kemi dhe të rikthehemi te fitorja dhe aty ku e kemi synimin”, deklaroi Broja.

Nuhiu foli edhe për pushimin dy javorë dhe fazën përgatitore, ku klubi ynë qëndroi në Durrës, ku edhe shënoi fitore në miqësoren ndaj KS Kastrioti (0:2).

“Ka qenë një pushim i mirëseardhur për skuadrën tonë, e kemi shfrytëzuar këtë moment për të rikuperuar futbollistët me shqetësime dhe është shfrytëzuar edhe në aspektin fizik,  mendoj për disa futbollistë që nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë.

Duhet falënderuar klubin për mundësinë që të bëjmë një mini – fazë në Durrës, ku kemi shfrytëzuar në maksimum duke përmirësuar edhe atë që na ka munguar në javët e kaluara.

Faza ka shkuar mirë dhe kemi zhvilluar edhe një ndeshje kontrolluese me një kundërshtar mjaft të fortë, ku skuadra jonë dha mesazh të mirë, duke treguar një paraqitje shumë të mirë dhe fituar ndaj një skuadre të Superligës së Shqipërisë”, ka thënë Nuhiu.

Trajneri njoftoi se për ndeshjen e nesërme të gjithë futbollistët janë të gatshëm, përveç Arbnor Mujës, i cili do te mungoje për shkak të një dëmtimi dhe për gjendjen e tij do të kuptohet nesër pas kontrollës mjekësore.
Ndeshja luhet nesër (13.00) në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan

Shpërndaje në: