DUAM ZGJEDHJE: Kur VV me tenxhere, fertere, teste-protesta e tubime kërkonte zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Vetëvendosje përmes kryekuvendarit Glauk Konjfuca mbrëmë shprehu propozimin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale për shkak të pandemisë Covid-19. Por, ajo çka bënte në fund-majin e vitit të kaluar e bën propozimin të duket mjaft dyfytyrësh.

Në fund të majit, kur Kosova po bëhej gati të kishte Qeverinë Hoti, VV kishte nisur një varg aktivitetesh të ndryshme që mësynin mobilizimin e qytetarëve në kohë pandemie për “zgjedhje”.

“Duam zgjedhje,” ishte parulla kryesore e kësaj partie, që para se të kishte bërë protesta bëri para-protesta.

Para-protesta e parë ishte ajo e goditjes së tenxhereve dhe fërtereve me lugë nëpër ballkonë, e që përngjasonte me protestat e mbajtura me tenxhere ndaj pushtetit serb në fillim të viteve ’90, komenton Periskopi.

Pas organizimit të protestave me tenxhere, VV kërkesën për zgjedhje në kohë pandemie e shtroi përmes test-protestave. Këto ishin ato veprime të ashtuquajtura “performanca” ku mblidheshin qytetarë duke respektuar masat e pandemisë.

Pas gjithë këtyre test-protestave dhe kuazi-protestave, VV mblodhi guximin të bënte madje edhe protesta duke grumbulluar në qershor mijëra njerëz në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Qeveria e Grenellit, e zotimeve të një kryeministri të pa ligjshëm duhet të shkarkohet sa më parë. Vendit i duhet një qeveri e re, me legjitimitet të plotë për të dalë nga kjo krizë e shumëfishtë me të cilën po përballet vendi. Vendit i duhet Qeveria Kurti”, shkruan Vetëvendosje në Facebook.

Për më tepër, kjo parti politike që sot e mban pushtetin në Kosovë e vetme kishte vendosur që data e zgjedhjeve të vendosej më herët, më 17 tetor dhe jo më 31 tetor siç kishin propozuar dy partitë opozitare LDK e PDK. /Periskopi