Dumoshi: Kosova po përgatitet të aplikojë në UNESCO

Periskopi.com Kulturë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se shumë shpejt do t’i përgatisin të gjitha dosjet e nevojshme për aplikim në UNESCO.

Ministrja Dumoshi theksoi se çështja e pranimit në UNESCO është politike, por shpreson që me ndihmën e ndërkombëtarëve, Kosova do ta kalojë këtë proces.

“Ka qenë një këmbëngulje mjaft e madhe e mija që kemi filluar me listën e trashëgimisë shpirtërore t’i qesim në pah pjesën tonë më të bukur dhe ta bëjmë dosjen e tyre. Ne duhet të përgatitemi si Kosovë për aplikimin në UNESCO. Kështu herën e kaluar për shumë pak vota nuk arritëm, por ajo na ka dhënë një mësim të mirë që neve si institucione brenda për brenda duhet të angazhohemi të gjithë për ta çuar procesin përpara. Edhe besoj që shumë në shpejt ne t’i përgatitim të gjitha dosjet dhe të kalojë UNESCO. Këto janë edhe çështje politike dhe uroj që të na ndihmojnë ndërkombëtarët në këtë proces si Kosovë me një trashëgimi, e cila është mjaft e pasur kulturore”, u shpreh ajo.

Dumoshi ka treguar se në vitin që e lamë pas për shkak të pandemisë, kjo ministri ka punuar me 30 për qind të stafit.

Më tej, Dumoshi tha se me gjithë sfidat që janë ballafaquar institucionet e MKRS-së si pasojë e pandemisë, me angazhimin e komunitetit artistik kanë arritur që t’i ofronin publikut disa programe.

“Sigurisht që kjo situatë ka ndikuar në pjesën globale të botës po edhe neve si Kosovë dhe sidomos ka prekur mjaft edhe institucionin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit është mjaft e madhe me pjesëmarrje të madhe të njerëzve, të cilët përfaqësohen si në nivelin e kulturës dhe në nivelin e rinisë dhe të sportit. U gjendëm para një situate të panjohur te virusit Covid, por me angazhimin e tyre ne patëm organizuar që sidomos pjesën e parë të pandemisë t’i afronim publikut sado pak programe të ndryshme nëpërmes rrjeteve sociale”, u shpreh ajo.

Dumoshi tha se Ministria e Kulturës… për herë të parë i ka mbështetur organizatat e pavarura me shumën më të madhe me 1 milion e 538 mijë.

“Kosova është sfiduar në çdo nivel qoftë atë shtetëror, por edhe në sektorët private. Ministria e Kulturës institucionet e veta nuk i ka lënë keq. Ata kanë pasur buxhetin edhe pse ministria ka punuar me 30 % staf gjatë këtij viti. Kurse sa i përket organizatave të pavarura Ministria e Kulturës në programin e vet këtë vit është hera e parë që i ka mbështetur me shumën më të madhe me 1 milion e 538 mijë ku një pjesë e madhe e tyre është shpërndarë dhe do të shpërndahet edhe pjesa tjetër. Por gjithsesi është teguar kujdes i veçantë edhe nga plani i rimëkëmbjes ekonomike ku kryeministri Hoti ka bërë një punë të shkëlqyer dhe edhe MKRS-ja iu ka alokuar 5 milionë euro”, tha ajo.

Ministrja Dumoshi tregoi për ndarjen e fondeve, duke thënë se për thirrjen për financim të artistëve individual ka pasur rreth 700 aplikues.

“Tash fazën e parë e kemi shpërndarë ku tek rinia është ndarë 1 milion nëpërmes një memorandumi që e kemi bërë me UNDP-në është bërë shpallja që të jenë pjesë e punës praktike 6 mujore e cila do të jetë me pagesë. Te pjesa e sportit është ndarë 1 milion e gjysmë dhe ajo është shpërndarë nëpërmjet Komiteti Olimpik ku përfitues kanë qenë 25 mijë e 300 sportistë. Sa i përket kulturës keni bërë thirrje për pjesën e artistëve individualë. Kemi pasur rreth 700 aplikues. Fazën e parë e kemi kryer dhe tash është faza e pagesave. Unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me komunitetin kulturor që nga pandemia për hartimin e kritereve kështu që në një far forme për shumë aspekte jemi pajtuar”, u shpreh ajo.

Shpërndaje në: