‘Dy foto të Prishtinës që i rrahin shuplaka gojës nipat e mbesat e komunistëve që thonë se atëherë ishte mirë’

‘Dy foto të Prishtinës që i rrahin shuplaka gojës nipat e mbesat e komunistëve që thonë se atëherë ishte mirë’

Shkrimtari dhe studiuesi Adil Olluri, ka publikuar dy fotografi të lagjes Tophane në Prishtinë. E para është realizuar në vitin 1972 ndërsa e dyta tani, në vitin 2022.

Olluri shkruan se para fiks 50 vjetësh, Prishtina dukej si një fshat. Ndërkaq tani – thotë ai – megjithë asimetrinë arkitektonike, ta jep pamjen e një qyteti të urbanizuar.

E kjo sipas Ollurit, është ‘rrahje shuplaka gojës për notalgjikët e komunizmit”.

Ai shkruan:

Dy fotografi të Tophanës, lagje e Prishtinës, jo shumë larg sheshit kryesor. E para e realizuar në vitin 1972, ndërsa e dyta në vitin 2022, fiks pas pesëdhjetë vjetëve. Dy fotografi nga i njëjti vend që flasin qartë për ndryshimet e mëdha shoqërore dhe infrastrukturore të kryeqendrës kosovare.

Fotografia e parë jep pamjen e një fshati të varfër, të prapambetur e me rrugë të baltosura, ndërsa fotografia e dytë, me gjithë asimetrinë arkitektonike, na jep pamjen e një qyteti apo të një hapësire të urbanizuar.

Ajo që dua të them është se kushdo që flet për zhvillimet e mëdha infrastrukturore, shoqërore e kulturore të Kosovës e Prishtinës gjatë periudhës së komunizmit, fotografitë e tilla jo vetëm që i demantojnë, por edhe i rrahin shuplaka gojës, të denja për mashtruesit dhe falsifikuesit e së kaluarës. Fotografi të tilla ka me bollëk, me qindra e mija, të mjaftueshme për ta dëshmuar të kundërtën e rrëfimit të rrejshëm të nipave dhe mbesave të komunistëve, bllokmenëve të Prishtinës, për parajsën e kuqe. Rrëfimi i pasardhësve ideologjikë se vetëm gjatë komunizmit është ndërtuar Kosova e Prishtina, ndërsa pas luftës së fundit (1997-99) ka filluar të shkatërrohet është i rrejshëm, mashtrues, i poshtër e tendencioz. Fotografitë si e mësipërmja e vrasin rrëfimin e tyre të gënjeshtërt. Mos të harrojmë asnjëherë se Jugosllavia komuniste mund të ketë qenë e mirë për popujt e tjerë të ish-federatës së kuqe, por për shqiptarët ka qenë ferr dhe tmerr, burg e shkuar burgu.

Prishtina gjatë epokës komuniste ka pasur vetëm disa oaza të urbanizuara, disa shëtitore, parqe e ndërtime në pjesë të caktuara të qytetit, ndërsa pjesa më e madhe e asaj që sot e njohim si Prishtinë, sikurse e shohim në fotografi, ka pasur pamjen e një ambienti rural, të një fshati të rëndomtë, siç kanë qenë të gjithë fshatrat e Kosovës gjatë atyre viteve. Nuk mund të quhet zhvillim i qytetit nëse e ndërton një korzo, disa oaza urbanistike, ndërsa shumicën e hapësirës së qytetit e lë të varfër e të prapambetur në aspektin infrastrukturor. Ai nuk është zhvillim, por fasadë. Prishtina e sotme, me gjithë defektet dhe asimetrinë arkitektonike, ka pamjen e një zone urbane, relativisht të zhvilluar. Megjithatë, krahasuar me Prishtinën e Josip Brozit ka pamjen e qytetit në të gjitha pjesët e saj, ku periferia është urbane, thuajse sa qendra e saj. Trumbetuesit e pandershëm të parajsës së kuqe duan që resurset e këtij vendi t’i gëzojnë vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve, një përqindje elitare, ndërsa pjesa tjetër e njerëzve të jenë vetëm rrogëtarë e shërbëtorë të tyre. Kjo logjikë ka përfunduar dhe sot secili ka qasje dhe të drejta në resurset e këtij vendi. Mendësisë së lartpërmendur ia dha goditjen liria dhe pavarësia e këtij vendi dhe nuk ka asnjë agjitacion e asnjë propagandë që i kthen më gjërat mbrapa.

Nuk kam asgjë kundër atyre që shpërndajnë në rrjet fotografi kujtimesh nga lagjet e tyre, nga rrugët ku kanë luajtur, janë rritur e kanë jetuar (për hir të korrektësisë, fotografinë e mora nga një faqe e quajtur “Prishtina ime”, që për mua është faqe mirë, sepse na jep dëshmi për të kaluarën e këtij qyteti). Bëjnë mirë që i shpërndajnë fotografitë, sepse na dëshmojnë qartë për mungesën e zhvillimit shoqëror gjatë periudhës së kuqe dhe përmes shpërndarjeve të tilla i demantojnë pa fjalë, por me pamje, regresistët dhe propaganduesit.

Shpërndaje në: