Dy javë pas raportimit: Ministria e Financave del me sqarim për policën e sigurimit të mërgimtarëve

Dy javë pas raportimit: Ministria e Financave del me sqarim për policën e sigurimit të mërgimtarëve

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka bërë të ditur se të gjithë bashkatdhetarët që qëndrojnë më shumë se një muaj, mund ta ripërtërinë policën e sigurimit të subvencionuar, në dy mënyra, duke kaluar në njërën nga pikat kufitare për ta marrë edhe një policë, ose duke blerë policë të re në njërën nga zyrat e BKS’së brenda territorit të vendit.

Qeveria e Kosovës nga data 1 korrik 2021, ka marrë vendim që të subvencionojë pagesat e sigurimit kufitar, vetëm për automjetet dhe motoçikletat me targë të huaja të regjistruara në emër të personave fizik dhe juridik.

Periudha e pajisjes me policë të sigurimit ka filluar pra me datë 1 korrik dhe mbaron me datë 31 dhjetor 2021. Një subvencionim i tillë nuk bëhet për automjetet e regjistruara në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

Rreth dy javë më parë Metro ka raportuar për një rast, ku një mërgimtar është dashur të dalë nga Kosova, për të marrë policë të sigurimit për veturat që i kishte në Kosovë që tre muaj.

Lidhur me këto raste, dy javë më pas, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, sot ka dalë me një sqarim.

Ministria ka bërë të ditur se policat kufitare të subvencionuara kanë vlefshmëri 1-mujore dhe në rast të qëndrimit përtej afatit 1-mujor të policës së subvencionuar, polica mund të ripërtërihet në dy mënyra.

“(i) duke kaluar përsëri nëpër njërën nga pikat kufitare për të marrë edhe një policë të subvencionuar nga shteti, ose (ii) duke blerë policë të re në njërën nga zyrat e BKS-së brenda territorit të vendit”, thuhet në njoftim.

Vlen të theksohet se policat që blihen brenda territorit të vendit, i nënshtrohen zbritjes së çmimit prej 35%, sipas vendimit të BQK-së.

“Ky aranzhim është i domosdoshëm, marrë parasysh se kalimi përmes sistemit të kontrollit kufitar është mënyra e vetme për të identifikuar saktësinë e të dhënave që shërbejnë si bazë për subvencionim e policës kufitare”, përfundon njoftimi.

Shpërndaje në: