Dy Komisione Hetimore për rrymën: Periskopi shpjegon shkurtimisht pse

Dy Komisione Hetimore për rrymën: Periskopi shpjegon shkurtimisht pse

Komisioni Hetimor për rrymën, kishte përplasur opozitën me pushtetin në një seri seancash të Kuvendit të Kosovës. Në fund, partisë në pushtet iu kujtua një ide: Komision Hetimor qysh e kërkonte opozita (lidhur me problemin e energjisë këtë vit, 100 milionët subvencionë dhe në fund implikimin e ambasador Martin Berishajt) por edhe Komision hetimor për sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022. Të dyja u bënë gjatë 24 orëve të fundit dhe të dyjave, iu prijnë dy deputetë opozitarë: Driton Selmanaj dhe Hajdar Beqa…  

Sot është konstituuar komisioni hetimor parlamentar i propozuar nga Grupi Parlmanetar i Vetëvendosjes në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Kryesues i këtij komisioni është deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja.

Anëtari tjetër nga kjo parti është edhe Rashit Qalaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), anëtarë të këtij komisioni janë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi (zëvëndëskryesues i Komisionit) Armend Muja.

Ndërsa nga LDK anëtarë janë Armend Zemaj dhe Rezarta Krasniqi.

Nga AAK-ja anëtare është deputetja Time Kadrijaj. Prej Listes Serbe (LS) anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik anëtare është Duda Balje.

Në këtë mbledhje deputetët janë dakorduar për shtyrjen e votimit të Planit të veprimit deri në një mbledhje tjetër (të hënën).

Në seancën e 5 majit, mes mospajtimeve e debateve, Kuvendi kishte formuar dy komisione hetimore për energjinë elektrike.

Dje u konstituua komisioni hetimor parlamentar për energjinë

Ndërkohë, dje është konsistuar komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e parë, kryetari i këtij komisioni Driton Selmanaj u ka kërkuar anëtarëve që të ketë angazhim më të madh në këtë drejtim duke i sjellë në komisionet e radhës edhe dokumentacionet për hetim.

Selmanaj gjithashtu ka bërë të ditur se ky komision do të ketë afat kohor deri në fund të vitit.

Ai ka kërkuar nga komisioni që të gjitha pyetjet t’iu drejtohen KOSTT-t, ZRRE-së dhe Qeverisë.

“Komisioni do të ketë mandat gjashtëmujor, nuk kemi kohë të saktë sa do të zgjasë, meqë nuk dihet si do të zhvillohen hetimet, por afërsisht është fundi i vitit. Çështja e parë në emër të komisionit është që pyetjet duhet t’i drejtohen institucioneve si KOSTT, ZReE-së dhe Qeverisë”, tha ai.

Anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari – Lila tha se në mbledhjen e radhës duhet të bëhet edhe plani ku në bazë të vlerësimit të bëhet edhe intervistimi.

Ndërsa deputeti Pal Lekaj tha se nevojitet dokumentacioni në mënyrë që të nisin hetimet.

Në vijim ju paraqesim përbërjen e anëtarëve të komisionit për energji: Driton Selmanaj – kryesues, Artan Abrashi, Enver Haliti, Jeta Statovci, Mimoza Kusari Lila, Ferat Shala, Eliza Hoxha, Besian Mustafa, Pal Lekaj, Adem Hoxha dhe Fridon Lala.

Gjysma e deputetëve nuk kanë qenë në ditën e parë të konstituimit të komisionit për menaxhimin e krizës energjetike, pasi siç u tha nga kryetari Selmanaj, shumica prej tyre janë jashtë vendit./Periskopi 

 

Shpërndaje në: