Dy komuna në Veri zbatojnë ligjet e Serbisë, Kurti heshtë

Dy komuna në Veri zbatojnë ligjet e Serbisë, Kurti heshtë

Kryefjalë e ditës së sotme ishte veriu i Kosovës.

Atje dy komuna, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani u futën në karantinë, e mënyra se si ndodhi kjo ngjalli reagime të shumta në Kosovë.

Por sidoqoftë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk reagoi, e kaloi në heshtje këtë ditë, teksa zyrtarët e partisë së tij, gjatë gjithë ditës u morën me publikimin e një sondazhi të dyshimtë që këtë parti e nxirrte bindshëm para subjekteve tjera me vota.

Në vend të tij, Kurti e la të fliste ushtruesin e detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla që shkroi në Facebook se është në kontakt me kryetarët e komunave të lartëpërmendura, mirëpo nuk tregoi se kush dha urdhërin, apo kush e mori vendimin për karantinimin e këtyre dy qyteteve.

“Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mirë. Të gjitha institucionet përgjegjëse po përcjellin situatën pandërprerë në mënyrë që reagimi i tyre të jetë konform gjendjes”, shkroi mes tjerash Sveçla.

Për situatën reagoi edhe presidenti Thaçi. Ai tha se ajo që ka ndodhur në veri është papërgjegjshmëri e qeverisë së Kosovës karshi qytetarëve dhe sovranitetit të saj, shkruan lajmi.net.

Në këtë kontekst, thirrja e presidentit ishte që qeveria t’i kryejë detyrat e saja karshi qytetarëve.

E gjithë dita u përcoll me reagime të ashpra, kryesisht nga opozita dhe qytetarët, ndërsa rreth orës 20:00 ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia doli në një konferencë për media për ta sqaruar situatën.

Ai tha se vendimi për karantinimin e dy komunave veriore është marrë nga ministria që ai drejton, ani pse raportimet, si dhe rezerva me të cilën folën zyrtarët e tjerë të qeverisë para Vitisë, e tregoi të kundërtën.

“Sipas ligjit, është vetëm MSH ajo që mund të marrë vendime në raport me situatat e tilla. MSH ka qenë në koordinim me komunat përkatëse. Dhe në koordinim me to, është marrë vendimi nga ministria e Shëndetësisë. Dhe kjo është e vetmja  e vërtetë”, tha mes tjerash Vitia.

Reagime pati edhe nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i Nismës, Fatmir Limaj e zyrtarë tjerë të larëtë përfshirë këtu edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Shpërndaje në: