Dy vite të humbura nën qeverisjen e Isa Mustafës

Dy vite të humbura nën qeverisjen e Isa Mustafës

 

Bilall Sherifi, në një intervistë dhënë Periskopit, flet edhe për koalicionet e mundshme të AAK-së e Nismës pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë. Nuk vendos vija të kuqe për asnjë parti, por thotë se koalicioni AAK-Nisma planifikojnë të del i pari dhe t’u vendosë kushte më pas partnerëve të koalicionit.

Koalicionin me Vetëvendosjen nuk e heq nga lista si opsion, por thotë se është e vështirë të ndodh për arsye të ndryshme.

Ndërsa, për murin e ngritur në veri të Mitrovicës, përgjegjës i bën Hashim Thaçin si ish-kryeministër dhe Isa Mustafën si kryeministër aktual të vendit.

Intervista e plotë:

Si e komentoni rezultatin e zgjedhjeve ne Drenas?

Është bërë zakon që viteve të fundit për ngjarje jo të zakonshme, për ngjarje që nuk ndodhin shpesh apo ndodhin rrallë, të përdoret shprehja “historike”, madje do të thoja shpesh herë ngjarjet që janë vlerësuar si “historike” kanë qenë shumë më pak “historike” sesa rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit që u mbajtën më 04 dhjetor të këtij viti. Prandaj,konsideroj se meqë për herë të parë  që kur mbahen zgjedhje të lira në Kosovë gara për të parin e Drenasit shkon në balotazh, me plot të drejtë mund të themi se ky rezultat ishte historik.

Nisma ka arritur koalicion me AAK-në.  A mund  të pritet  ndonjë  ofertë për  koalicion  edhe me Vetëvendosjen?

 Koalicioni AAK-NISMA është vazhdimësi e bashkëpunimit që e filluam menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2014. Në kuadër të këtij bashkëpunimi që kishte të bëjë me kundërshtimin e dy marrëveshjeve të dëmshme për vendin, atë për demarkacionin me Malin e Zi dhe asociacionin me Serbinë ishim bashkë edhe me VV-në. Pra, përderisa për të kundërshtuar këto dy marrëveshje patëm një bashkëpunim të ngushtë edhe me VV-në, bashkëpunimin për një alternativë të përbashkët edhe me ta nuk arritëm ta konkretizojmë. Tani, se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen nuk mund të them me saktësi. Në parim nuk përjashtojmë asnjë parti opozitare, por njëkohësisht më duhet të them se, për arsye të ndryshme, një gjë e tillë është bukur e vështirë të ndodhë.

Për cilat parti koalicioni Nisma – AAK, ka vija të kuqe?

 AAK-NISMA ka për synim zgjerimin e koalicionit me parti tjera opozitare dhe personalitete të jetës publike, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga ajo akademike. Qëllimi ynë është fitorja e këtyre zgjedhjeve. Prandaj, koalicioni si fitues i zgjedhjeve do të vendosë  kushte për partnerët e mundshëm të koalicionit.

Nisma ka refuzuar disa herë të marrë pjesë në takimet e thirrura nga persidenti për refome zgjedhore. A do të thotë kjo që  Nisma nuk do asnjë bashkëpunim  me Thaçin  për  këtë pikë?

Refuzimi për të marrë pjesë në këtë proces të filluar nga Thaçi ka të bëjë me faktin se reforma zgjedhore nuk është kompetencë e tij. Pos kësaj, për një reformë e mirëfilltë zgjedhore duhet shumë më shumë kohë. Mbi të gjitha një proces i tillë kërkon edhe një besim më të madh mes aktorëve të skenës politike, të gjithë e dimë që asnjë nga këto kushte nuk janë të plotësuara.

VV-ja ka kërkuar diskutim parlamentar për rastin e  Astrit Deharit dhe nuk  ka arritur t’i mbledhë nënshkrimet, është bërë edhe një peticion nga qytetarët për këtë.  Tani kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka premtuar se do të thërrasë seancë për këtë rast. Si e komentoni këtë?

 Deputetët e NISMA-s e kanë nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit dhe nuk është dashur që kjo të pengohet nga askush.

Tani rëndësi ka që seanca të mbahet në mënyrë që të kenë mundësi të gjithë të thonë atë që kanë për të thënë. Fundja, e vërteta dhe drejtësia janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Nëse seanca arrin të ndihmojë që të ndriçohet e vërteta për rastin e Astritit ajo do t’i hapë rrugë edhe vënies së drejtësisë në vend për Astritin.

 A mendoni se koalicioni qeverisës do të arrijë ta sjellë demarkacionin në Kuvend së shpejt?

 Koalicioni qeverisës mund ta sjelle në çdo kohë demarkacionin në kuvend, mirëpo unë jam i sigurt se koalicioni nuk do të mund më këtë version ta ratifikojë. Sepse as nuk i kanë dhe as nuk do t’i kenë votat më për këtë version. Kjo tanimë është punë e kryer.

Si e komentoni situatën e krijuar së fundmi në Mitrovicë, ku ka filluar të ndërtohet një mur ndarës?

 Muri në Mitrovicë është produkt i koncesioneve të vazhdueshme që qeveritë e Kosovës i kanë bërë Serbisë gjatë procesit të bisedimeve në Bruksel. Kryeministri Thaçi si projektues i këtij procesi dhe Isa Mustafa si vazhdues i rrugës së tij janë përgjegjësit kryesor për të gjitha dështimet në këtë proces. Gjithashtu pa dyshim që edhe lehtësuesit e Bashkimit Evropian  mbajnë përgjegjësi për këto zhvillime. Konsideroj që ky veprim do të përkeqësojë gjendjen në atë pjesë të vendit.

 Kanë kaluar dy vjet të mandatit të kryeministrit Isa Mustafa. Si i vlerësoni  këto dy  vjet të tij në këtë post?

 Dy vite të humbura për Kosovën në të gjitha aspektet, qoftë në plan të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar qoftë në plan të zhvillimit ekonomik të vendit.

A mendoni se duhet hetim për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së?

Ju e dini që shumë veteran publikisht e kanë thënë që ka pasur fryrje të listave të veteranëve. Ata më së miri e dinë se kush ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Prandaj, hetimi i listave është në të mirë të vet veteranëve.

A janë ulur vlerat e luftës së UÇK-së me fryrjen e këtyre listave?

 Jo në asnjë mënyrë nuk mendoj se janë ulur vlerat e luftës. Vlera kryesore e luftës së UÇK-së është çlirimi i Kosovës, pra, liria e saj. Tani a mund të themi se çlirimi i Kosovës ka më pak vlerë për shkak të keqpërdorimeve të tilla? Unë mendoj se jo.

Shpërndaje në: