Dyshime në emërimin e këshilltares së Glauk Konjufcës si asistente në UP

Dyshime në emërimin e këshilltares së Glauk Konjufcës si asistente në UP

Në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore kishte qenë i angazhuar që nga viti 2019. Me t’u hapur konkursi i rregullt, Arsim Nuli kishte aplikuar në thirrjen për asistent në departamentin e Gjeografisë. Por pasi kishte dalë raporti i komisionit vlerësues, i njëjti kuptoi që kishte mbledhur 44.04 pikë, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për t’u pranuar.

Megjithatë, Nuli po pretendon që kandidatja Tropikë Agaj, e cila është vlerësuar me më së shumti pikë dhe që momentalisht mban pozitën e Menaxheres së Zyrës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, si dhe atë të Këshilltares për protokoll, ka falsifikuar një të dhënë, e cila ia siguroi 10 pikë.

Nuli thotë se Agaj kishte shkruar se është autore korrespondente në një punim, në të cilin sipas tij nuk qëndron.

Për më tepër, ai thotë që autor korrespondent i këtij punimi ishte pikërisht kryesuesi i komisionit vlerësues, Ibrahim Ramadani.

Ndërsa, si autor i parë në këtë punim, në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës, thotë se figuron Valbon Bytyqi, që poashtu kishte qenë anëtar i komisionit.

“Ne kemi verifikuar pasi ka qenë shumë e thjeshtë që në disa botime që janë bërë në fshmn, autorë kanë qenë profesor Valbon Bytyqi dhe Ibrahim Ramadani dhe kjo ka qenë e treta dhe këtu është bërë falsifikimi dhe është ndërruar autori korrespondent. Autori korrespondent poentohet me 10 pikë. Me këtë falsifikim jam dëmtuar sepse publikimet e mia nuk kanë hyrë në këtë fazë sepse rregullorja që ka ardhur nga UP’ja nuk është llogaritur publikimet e mia. Është dashur të marrë 4 pikë pastaj”, ka deklaruar ai.

Ai shprehet se bëri disa ankesa në organet e UP-së, nga të cilat pret vendim në favor të tij.

Për të njëjtën pozitë, dyshimet e njëjta i ka shprehur edhe Albert Berila, i cili pretendon që iu pamundësua që të kandidojë për pozitën e asistentit në FSHMN.

“Ky komision ka qenë në përbërje nga profesor Ibrahim Ramadani, Valbon Bytyqi dhe Arsim Ejupi. Ky komision me vetëdije të plotë dhe me qëllim falsifikon punimin shkencor në të cilin është autor korrespondent Ibrahimi, duke e bërë si të tillë kandidaten Tropikë Agaj. Këtu kemi një favorizim të qartë që është bërë në mënyrë të padrejtë”, është shprehur Berila.

Ai beson se është më i përgatitur për pozitën e njëjtë.

“Unë tanimë jam autor i pesë punimeve shkencore që janë të indeksuara në platformë ndërkombëtare. Ky komision në bashkëpunim me tërë strukturën menaxheriale dhe Këshillin e Etikës ma kanë pamundësuar, nuk më kanë lejuar që ta bëj mbrojtjen e temës me kohë. Tema ime ka qenë e publikuar si dy punime shkencore. Nuk më është lejuar që me kohë ta bëj mbrojtjen e temës master”, ka shtuar tutje Berila.

Por krejt këto akuza, po i mohon Agaj.

Ajo, nëpërmjet një përgjigjjeje shkrim, ka deklaruar për T7 se të njëjtit janë duke tentuar që ta dëmtojnë imazhin e saj.

Madje e njëjta ka paralajmëruar edhe padi civile ndaj tyre.

“Asnjëra nga këto që janë cekur në e-mail nuk qëndrojnë, së pari, dy personat që janë paraqitur në redaksinë tuaj të cekur lartë nuk kanë qenë kundër kandidatë. Unë si kandidate jam vlerësuar nga Komisionet përkatëse pozitivisht dhe posedoj materiale të cilat e dëshmojnë korrektësinë time karshi Universitetit të Prishtinës ku jam e gatshme t’i ofroj në çdo kohë. Për momentin jam në proces të hapjes së padisë civile për shpifje dhe tentim të degradimit të imazhit tim duke qenë arsyeja për informatat e paqena të shpërndara nga personat në fjalë”, ka thënë Tropikë Agaj.

Televizioni ka dërguar përsëri pyetje në adresën e Agajt, për të sqaruar nëse ajo ishte e vetëdijshme që ofroi një punim në të cilin nuk ishte as autore korrespondente e as autore e parë.

Por e njëjta nuk është përgjigjur para momentit të publikimit të artikullit.

Pyetjet janë dërguar edhe në adresën e dy anëtarëve të tjerë të komisionit, të cilët njëkohësisht ishin bashkautorë në këtë punim.

Përgjigjie nuk dhanë as profesorët e as dekani, i cili përmes telefonit i tha televizionit se vendimi do të merret në Senat.

Ndërsa nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës kanë deklaruar që aplikimet do të shqyrtohen në njërën nga mbledhjet e radhës të Senatit të UP-së.

Shpërndaje në: