Dyshime për manipulime votash në garën për kryetarë të qendrave të VV-së: Statistika

Dyshime për manipulime votash në garën për kryetarë të qendrave të VV-së: Statistika

Partia në pushtet – e kryeministrit Albin Kurti, të dielën që lamë pas, zhvilloi procesin zgjedhor për kryetar të partisë si dhe për kryetarë të qendrave të kësaj partie nëpër Kosovë. Për udhëheqës të partisë, fitoi Kurti me gati 100% të votave – pasi askush nuk e sfidoi. Kjo përqindje u publikua. Por, ajo që nuk u publikua është përqindja e votave të atyre që morën në udhëheqje qendrat e Vetëvendosjes. Një burim pranë kësaj partie, hedh dyshime se janë ‘manipuluar votat’ për kryetarë qendrash, sidomos për ato që thotë se kishte qasje në to si: Prishtinë, Ferizaj, Podujevë, Mitrovicë, Viti dhe Lipjan. Sipas statistikave, po ashtu, këto janë zgjedhjet e brendshme të partisë në pushtet, me pjesëmarrjen më të ulët ndonjëherë, të anëtarësisë së saj. Kjo, shihet edhe me mos-praninë virtuale të partisë në pushtet të dielën, ku pamë veç pak fotografi, ato të Kurtit duke votuar… 

Megjithëse rezultatet nëpër qendra nuk janë publikuar por vetëm emrat e fituesve një burim nga kjo parti i ka treguar Periskopit disa prej rezultateve nëpër 6 qendrat kryesore si: Prishtina, Ferizaji, Llapi (Podujeva), Mitrovica, Vitia dhe Lipjani. Por, ajo që shihet sipas përqindjes që na jep ky burim nga Vetëvendosje, është pjesëmarrja tejet e ulët e anëtarësisë së kësaj partie në votime.

Ky burim, hedh dyshime se ‘janë mbushur kutitë e votimeve për kandidatë të caktuar’ deri në ‘20% të votave’.

Në Prishtinë për shembull, ky burim thotë se janë 6500 anëtarë të Vetëvendosjes, të regjistruar dhe thotë se për z.Vitia kanë votuar 1100, por shton se ka dyshime në mbushjen e kutive, pasi thotë se ‘vetëm 760 kanë votuar për gjithsej në Prishtinë.

“Në komunën e Prishtinës nga gjithsej 6500 anëtarë sa janë te regjistruar kanë votuar 1100 diku për Arben Vitinë, brenda ketij 1100  5% ishin kundër. Përveç kësaj deri ne ora 2 jane numëruar e qe 99% janë mbushur kutitë sepse informacionet janë se kane votuar vetëm 760”, na thotë ky burim.

“Në Ferizaj nga 4600 anëtarë kane votuar 700 ndërsa rezultati ishte 423 me 310 kunder, derisa në Llap janë 5600 anëtarë – ndër ta kanë votuar 320 për Shpejtim Bulliqin”, thotë ky burim.

Rezultate në qendra tjera, sipas këtij burimi, si për shembull në Lipjan dhe Mitrovicë.

“Në Mitrovicë nga 5000 anëtarë kanë votuar 350 për Armend Mujen. Në Viti nga 2100 anëtare kane votuar vetëm 207 për Arsim Ademin”, thotë burimi derisa shton se nga 3000 anëtarë të VV-së në Lipjan, 300 kanë votuar për Adnan Rrustemin.

Pakënaqësitë në procesin e brendshëm zgjedhor në VV

Pak ditë para kësaj të diele që shkoi, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shpalosi në një fjali mbi 1 orësh platformën qeverisëse për partinë, në 4 vitet e ardhshme.

Mes tjerash, Kurti thumboi aktivistët e VV-së për shumëçka, si ‘nxënës të llastuar’ që e ‘dëgjojnë mësuesin por nuk mësojnë në shtëpi’ si dhe për ‘ata që kur vjen puna te listat e pozitat heshtin’ ani pse punojnë pareshtur në terren për partinë Vetëvendosje.

Kjo dukej të ishte për një sërë figurash që dhanë dorëheqje – e madje edhe pushuan aktivitetin politik, si pasojë e zhgënjimit me partinë që thonë se kontribuuan shumë. Mes shembujve që bënë bujë në opinionin publik, ishin ata të Prizrenit, Mitrovicës dhe Lipjanit.

Doni Beshiri (Mitrovicë), Shkëlzen Bislimi (Lipjan), Beni Kizolli (Prizren), ishin disa nga emrat që u larguan nga gara për kryetarë qendrash, me shumë akuza për partinë e Kurtit, mes tyre: mungesë e demokracisë së brendshme, islamofobi, se kandidatët për kryetarë qendrash po përzgjidheshin nga Prishtina (VV në Prishtinë), dhe akuza të tjera.

Pakënaqësitë e deputetëve të Kurtit – me partinë dhe me qeverinë e Kurtit

Një tekst i çuditshëm, do të publikohej dje nga një medium në Tiranë, udhëheqësi i së cilës, është mjaft i afërt me kryeministrin Kurti. Një lajm se rreth 11 deputetë të Vetëvendosjes, mund të largohen nga kjo parti, u plasua pikërisht në mediumin me bazë në Shqipëri që shquhet me politikat editoriale pro Kurti – duke mbetur misterioz, si fakt dhe i pazbuluar pse doli pikërisht në një medium që përkrah po Kurtin.

Disa nga ata që lakoheshin si emra në atë tekst, mohuan ato raportime, derisa intervista e mbrëmshme e një prej deputetit të njohur të partisë, z.Eman Rrahmani, shpërfaq pakënaqësitë me  –sidomos procesin e brendshëm zgjedhor në VV.

Një përmbledhje të pikave më kryesore të Rrahmanit, e bëri Periskopi dhe të plotë mund ta lexoni më poshtë.

Pas tij, është deputeti i Vetëvendosjes, z.Fatmir Humolli, një ndër zërat më kritik ndaj qeverisë Kurti. Një prej deklaratave më të ashpra të tij, është ajo e sotmja ku veç tjerash thotë: “Vetëvendosje është duke i humbur shpresat te populli dhe po e rrezikon stabilitetin e vendit”./Periskopi/

 

Shpërndaje në: