Dyshohet për ujë të ndotur në fshatra të Kaçanikut, mbi 250 qytetarë kërkuan trajtim mjekësor

Dyshohet për ujë të ndotur në fshatra të Kaçanikut, mbi 250 qytetarë kërkuan trajtim mjekësor

Mbi 250 qytetarë të fshatrave Nikaj, Rekë, Biçec, Dubravë, Doganaj të Komunës së Kaçanikut, kanë kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik që nga e marta, ka konfirmuar drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, Sinan Zeneli. Ai ka thënë se dyshimet janë për pirje të ujit të ndotur.

“Që nga dita e martë kemi pasur mbi 250 raste me simptoma të vjelljes, temperaturës, mundimit, plogështisë, diarresë”, ka thënë ai.

Zeneli theksoi se pas shfaqjes së këtyre problemeve shëndetësore kanë dyshuar se kjo është si pasojë e ujit të ndotur.

Sipas një njoftimi të QKMF-së “Dëshmorët e Lirisë”, në Kaçanik, shumica e pacientëve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka ndonjë pacient të hospitalizuar.
Ata iu kanë rekomanduar banorëve të këtyre fshatrave që ta vlojnë ujin para se ta konsumojnë.

Në njoftim është thënë po ashtu se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka marrë mostrat e ujit për analiza dhe rezultatet priten për pak ditë. Në njoftim, tregohet tutje se një ekip mjekësor ka dalë në terren në këto vende, për të bërë disa analiza shtesë.

Shpërndaje në: