E dhimbshme: Vdes sportisti i njohur kosovar

E dhimbshme: Vdes sportisti i njohur kosovar

Lajm i hidhur, sot pas një sëmundje ka ndërruar jetë sportisti i njohur Ylber Zaskoku.

Zaskoku, ish hendbollist i skuadrës me renome Kastrioti nga Ferizaj, kontriboi shumë në vitet e 90-ta në pavarësimin e hendbollit nga ai ish jugosllav dhe serb,

Ai përveç me hendboll, i ka kushtuar rëndësi edhe bodybildingut, alpinizmit dhe u marrë pothuajse me çdo sport. Ikja e hershme e tij në amshim, ka tronditur Ferizajn me rrethinë dhe tërë Kosovën.

“Lamtumirë shoku im!”, ka shkruar ish hendbollisti Xhavit Morina.

Selajdin Hajdini, ish portier i futbollit, është pikëlluar që humbi një shok e mik të dashur.

“Lamtumirë shoku im i bankës shkollore dhe i jetës, me ike shumë shpejt e papritur, ishe edhe inspirimi im sepse ti vendose gjithë jetën të jesh njeri sportist dhe unë ta kisha zili, të qoftë i lehtë dheu, shpirti yt pushoftë në parajsë, do të kujtoj me malle sa të jem gjallë, Lamtumire Shoku im i jetës”, ka shkruar karikaturisti Sela.

Komuna e Ferizajt me kryetar Agim Aliun, shprehin ngushëllime familjes.

“Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të sportistit të dalluar ferizajas, Ylber Zaskoku.
Me këtë rast, përmes telegramit, Kryetari i Komunës, Agim Aliu, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Zaskoku, komunitetit sportiv, miqve e të njohurve të të ndjerit.

“Lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të sportistit të dalluar ferizajas, Ylber Zaskoku na pikëlloi pa masë.

Ai përveç që u shqua në sportin e hendbollit, u shqua edhe për guxim, që sypatrembur mos ta zmbrapsnin as përndjekjet e shantazhet e pushtetit serbo-sllav. Miqtë humbën një bashkëlojtarë të shkëlqyer, një mik të çmueshëm, gjersa Ferizaj humbi një qytetar të dalluar e sportist kulminant.

Ngushëllime të sinqerta familjes Zaskoku, komunitetit sportiv e të gjithë miqve e të njohurve të të ndjerit. Qoftë i parajsës shpirti i tij!” mbyllet telegrami i ngushëllimit”, shkruan në faqen e KK të Ferizajt.

Ish portieri i hendbollit, Misret Maliqi është i tronditur. “Pusho i qetë miku dhe bashkëlojtari im Ylber Zaskoku.
Faleminderit për të gjitha ato momente dhe kujtime shumë të bukura gjatë karrierës aktive si sportist”, ka shkruar Maliqi.

Shpërndaje në: