E konfirmuar: Mblidhet Kryesia e LDK-së, diskutohet tema madhore

E konfirmuar: Mblidhet Kryesia e LDK-së, diskutohet tema madhore

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku do të mbledhë kryesinë e saj. Këtë e ka konfirmuar për Periskopin edhe anëtari i kësaj partie Muhamet Hamiti.

Mbledhja e Kryesisë pritet të mbahet në ora 14:00, që i bie pak orë para se kryetari Abdixhiku të shkoj në takim të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për të diskutuar për zgjedhjet lokale.

Mbledhja e Kryesisë së LDK-së mësohet të ketë të bëjë me fushatën zgjedhore dhe mbajtjen apo jo të zgjedhjeve, e cila këtyre ditëve është bërë temë e rëndësishme në vend.

Lidhur me rekomandimin e IKShPK-së për shtyerjen e zgjedhjeve, Lumir Abdixhiku të shtunën ka thënë se ky institucion është shndërruar në instrument të pushtetit dhe me këtë humbi secilin kredibilitet.

“IKSHPK u shndërrua sot në instrument të pushtetit – dhe me këtë humbi secilin kredibilitet. Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese. Trupat e kapur – me vullnet apo presion pa dallim – në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit. Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi. Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi. Vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani. Një ditë zgjedhje për demokracinë është e paalternativë. Fushata është shkurtuar; KQZ është e përgatitur; data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Të kujdesemi për shëndet, të japim shembull, të organizojmë një proces fer – por proces me 17 tetor do të ketë. Frikën e pushtetit për dështimin masiv, s’mund ta shërojmë; por demokracinë, lirinë e votës suaj, do ta mbrojmë”, ka shkruar Abdixhiku.

Shpërndaje në: