E konfirmuar: Shqipëria shkon në hapësirë në muajin mars 2022

E konfirmuar: Shqipëria shkon në hapësirë në muajin mars 2022

*Kronikë e Albanian Post

Fillimisht u mor si shaka. Më pas filloi të trajtohej si çështje serioze. Tashmë, është fakt.

Sateliti Albania 1 do të lëshohet në hapësirë nga kompania e Elon Musk, SpaceX, në mars të vitit 2022. Tre muaj më pas, orbitën do ta kapë edhe Albania 2.

Lajmin e ka shpërndarë vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një videoje të publikuar në Facebook.

Në video dëgjohet kryeministri Rama, i cili flet me atë që mendohet se është një nga inxhinierët e SpaceX. Ky i fundit, i shpjegon kreut të Qeverisë shqiptare mënyrën se si anija kozmike Falcon 9, dërgon në qiell satelitë të ndryshëm. Kështu, duke shpjeguar edhe procedurën e lëshimit fillestar.

Kur pyetet nga Rama mbi lëshimin e Albania 1, ai përgjigjet se marsi, do të shohë në orbitë satelitin e parë shqiptar.

SpaceX, kompania e Elon Musk, është lider në tregun botëror për dërgimin e satelitëve në orbitë. Dhjetëra shtete në botë, operojnë këto misione përmes kompanisë amerikane.

Ajo prej vitesh po punon edhe për dërgimin e njerëzve të parë në planetin e kuq, Mars. Ndërsa misioni hënor, do të jetë më i afërt.

SpaceX u bë edhe kompania e parë private, që dërgoi në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor astronautë amerikanë, duke i kthyer në tokë në mënyrë të suksesshme.

Shpërndaje në: