E papranueshme: Vuçiqi i qet katër kushte për t’u kthyer në negociata

E papranueshme: Vuçiqi i qet katër kushte për t’u kthyer në negociata

Sipas mediave serbe, presidenti i tyre Aleksandër Vuçiq i ka vënë katër kushte Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare për t’u kthyer në tryezën e negociatave.

Pas dërgimit të njësive policore të armatosura ROSU në veri të Kosovës me qëllim të mbikqyrjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha qartë se nuk aryse që dialogu të vazhdojë në këtë moment. Ai paraqiti disa kushte për vazhdimin e dialogut: që Bashkimi Evropian të tregojë nëse vijon të jetë në fuqi marrëveshja e Brukselit apo jo, që policët e armatosur të tërhiqen nga veriu, që vendimi kundër Ivan Todosijeviqit të anulohet dhe që të jepen licensa për dy kompanitë serbe të energjisë elektrike, shkruan Novosti, medium i afërt me kreun e shtetit serb.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu që kreu i shtetit serb e ka pyetur Bashkimin Evropian nëse marrëveshja për të është ende e vlefshme. Kjo marrëveshje u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte gjetur shkelje në disa pika të marrëveshjes për formimin e Asociacionit. Kjo konsiderohet e e papranueshme për Beogradin.

Beogradi po ashtu ka kërkuar vazhdimisht licensimin e dy kompanive serbe, “Elektrosever” dhe “EPS trgovina” për furnizimin me energji elektrike në veri të Kosovës.

Serbinë e irriton edhe vendimi i Gjykatës së Apelit në Kosovë e cila e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, pasi e quajti trillim masakrën e Reçakut.

Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”. Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë. Serbia kërkon anulimin e këtij aktgjykimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën në Kuvendin e Kosovës se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë nuk ka qenë dëshirë e tij, por imponim nga pala tjetër.

Kurti tha se ky vendim do të jetë në fuqi derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi.

“I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ndërsa dje, Kurti tha se është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitet për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë të njëjtën kundrejt Kosovës.

“Kjo masë është e barabartë me atë që shteti i Serbisë e aplikon ndaj Kosovës për dy dekada. E kam bërë të ditur edhe në takimin që e kam pasur me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e misionit të BE-së, se vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heqë, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë”, ka thënë Kurti.

Shpërndaje në: