E përmendi si mbështetëse: Organizata zvicerane e mohon dhe habitet me Agim Bahtirin

E përmendi si mbështetëse: Organizata zvicerane e mohon dhe habitet me Agim Bahtirin

Kryetari aktual i komunës së Mitrovicës dhe njëkohësisht kandidati në radhët e Vetëvendosjes për të rimarrë këtë post, Agim Bahtiri është vënë në një situatë tejet të palakmueshme, në kuadër të fushatës elektorale.

Bahtiri ka shkruar në Facebook për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në komunën e Mitrovicës. Mes tjerash, ai ka përmendur edhe mbështetjen e marrë nga organizata zvicerane ‘Stray Coco’, që në fokus ka pikërisht problemin me qentë endacakë.

Kryetari i Mitrovicës ka thënë se kjo organizatë do të jetë bashkë-financuese e projektit për trajtimin e qenve endacakë, por kjo nuk i ka pëlqyer presidentes së organizatës.

“Sot vizituam Klinikën Veterinare “Mitro Vet”, me të cilën kemi marrëveshje pikërisht për trajtim të qenve endacakë. Partner strategjik në këtë aspekt e kemi edhe organizatën zvicerane Stray Coco, të cilët janë të kënaqur me përgjigjen tonë pozitive, pasi që e bashkë-financojmë këtë projekt.  Madje, nga ky bashkëpunim i suksesshëm, organizata ka vendosur që të ndërtojë strehimore për qentë endacakë dhe të braktisur si dhe një klinikë veterinare në kuadër të saj”, ka shkruar Bahtiri, shkruan Periskopi.

Por, reagimi ishte i shpejtë nga presidentja e kësaj organizate, Helen Wormser, e cila ka thënë se organizata e saj nuk e ka në plan të ndërtojë klinikë, as strehimore.

“Jam e habitur me këtë postim, pasi Stray Coco nuk do të ndërtojë klinikë, as strehimore”, ishte komenti i Wormser në postimin e Bahtirit. /Periskopi/

Shpërndaje në: