E premtja e zezë: Krejt çka ndodhi në tragjedinë në Deçan, me tre të vrarë

E premtja e zezë: Krejt çka ndodhi në tragjedinë në Deçan, me tre të vrarë

Në orën 19:00 të së premtes u raportua për një krim makabër të kryer në mes të fshatit Shaptej dhe Gllogjan. Një autobus që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar, ku si rezultat kanë vdekur 3 persona dhe një është plagosur.

Policia e Kosovës i është përgjigjur rastit duke shkuar në vendin e ngjarjes.

I vdekur në vendin e ngjarjes kishte mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit.

Ndërkaq, të plagosur kishin mbetur edhe tre nxënës, ku dy prej tyre, vajzë dhe djalë të moshës 16-17 vdiqën në Spitalin e Pejës.

Nga raportimet zyrtare bëhet e ditur se nxënësi tjetër i cili është i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me tragjedinë kanë reaguar eksponentë nga skena politike duke përfshirë edhe presidenten e shtetit, Vjosa Osmanin e kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore është në vendin e ngjarjes dhe ky rast duhet të zbardhet sa më parë.

“Ekipi i Institutit të mjekësisë ligjore është në vendin e ngjarjes dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet. Ky rast duhet të zbardhet sa më parë dhe kriminelët duhet të përballen me drejtësinë”.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ishte për vizitë në Shqipëri, tha se menjëherë pasi u informua për tragjedinë në Deçan është nisur për në Kosovë.

“Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më pare”, shkroi Sveçla.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se shpreson që ky sulm të mos jetë terrorist.

“Një autobus që transporton nxënës me u gjuajt në një vend ku dy fëmijë të fshatit Gllogjan kanë gjetur vdekjen…Uroj që të mos jetë ndonjë sulm terrorist mirëpo uroj që këto raste të mos përsëriten kurrë në vendin tonë’, shtoi ai.

Megjithkëto ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.

Shpërndaje në: