E vërteta e rrenave dhe fotografisë së Flora Brovinës

Jetlir Buja Op-Ed

Partia Demokratike e Kosovës [PDK] po bën një zhvendosje të narrativës sa i përket luftës. Në njëzet vitet e fundit, kjo parti ka performuar lavdinë, triumfin e heroizmin, një narrativë që tregonte se si i kishim mposhtur serbët, se si i kishim dëbuar prej këtu, duke e heshtur njëkohshëm kukamën dhe fjalën e viktimave.

Heroi dhe viktima kanë qenë figura armiqësore ndaj njëri-tjetrit. Ndoshta se, heroizmi i heroit nuk qëndronte në mbrojtjen e viktimës, por në sulmin ndaj tjetrit. Ndoshta se, heroizmi shtrihej mbi një ide fallogocentrike [phallus-penisi] që përfliste në mënyrë harbute paburrërinë, pandershmërinë dhe penisin e armikut. Duhet thënë që liria qysh në vitet ’90 mori një kuptim thellësisht burrëror, duke qenë se burrat shqiptarë hanin dajak ose thjesht ishin të frikësuar nga burrat serbë gati gjithë kohën. Ndërkohë që në anën tjetër, viktima shqiptare i përngjante jashtëzakonisht shumë viktimës serbe. E njëjta kukamë, e njëjta dhimbje, të njëjtat fjalë.

Pra, PDK-ja për njëzet vjet rresht – si një parti që thirrej në vlera të luftës, që sulmonte njerëzit të cilët s’kishin guxuar të luftonin, që e shtrinte penisin gjerë e gjatë në hapësirën publike, që bërtiste ‘Lavdi’ në përvjetore e memoriale, që e qiu dhe u krenua se e qiu dinjitetin e qytetarëve, që luajti koqe dhe u krenuar se luajti koqe me ndërkombëtarët, që i tha opozitës ‘ma hongsh karin’ – e heshti dhimbjen e shoqërisë. Krenaria e luftës e mbyti dhimbjen e luftës. Pse, pra, nga kjo krenari e shprehur shfrenueshëm, nga kjo harbutëri koqesh e penisësh, kërcyen papritmas në viktimizim, në kukamë e në kallëzim dhimbjesh?

“Ligjërimi nuk është thjesht ai që përkthen luftërat ose sistemet e sundimit – e këtë, historia nuk rresht së na e mësuari – por ai për të cilin dhe përmes të cilit luftojmë, si dhe pushteti që synojmë të shtiem në dorë.” – Mishell Fuko [Michel Foucault]

Për njëzet vjet rresht kjo parti e eksploatoi pangopësisht krenarinë e luftës, dhe meqë ajo po shteret, tash po kërkon të eksploatojë edhe dhimbjen. Domethënë, PDK-ja po mësyn që pasi e shfrytëzoi qe njëzet vjet rresht një narrativë që së voni u bë e shfytyrueshme e gërditëse, të kalojë në një narrativë që ende ruan forcë e gjallëri, në atë të dhimbjeve të luftës. Me pak fjalë, nga agresori heroik në agresor të dhembshur.

Kjo nuk është thjesht një nga lëvizjet e kësaj partie. Është ndër më të guximshmet. Ndoshta, më e guximshmja duke marrë parasysh panatyrshmërinë e saj. Kjo sepse është paskaj gërditëse për secilin të shohë njerëz që shpërfillnin e përbuznin viktimat derisa papritmas flasin për dhimbjet e tyre, bile edhe i ndjejnë po vetë ato. Po flasim për njerëz që potencialisht mund t’i kenë bërë zullume banorëve serbë shkaku i mllefit të akumuluar gjatë asaj periudhe. Po flasim për njerëz që në përfytyrimet tona shfaqen duke i kallëzuar ato zullume nëpër oda ku tuboheshin me votuesit e tyre.

Dhe, se sa e padenjë është PDK-ja në detyrën që po përpiqet ta marrë në mbrojtjen e viktimave, u ilustrua nga fotografia që e mbante në dorë deputetja më e heshtur e Kuvendit, ajo që u quajt “lopë” prej tyre, Flora Brovina. Fotografia e shfaqte një akt seksual brenda një skenari pornografik.

Por, çka rrëfen gjithë ai turr i zonjës Brovina në korridorin e Kuvendit për t’iu dhënë gazetarëve atë imazh? Epo, shefi i tij që mban emrin Kadri dhe mbiemrin Veseli, e që është nismëtari i përforcimit të narrativës së viktimave të luftës, nuk ka besimin qytetar për një gjë të tillë. Veseli ndoshta s’e ka hak gjithë atë mosbesim – shkaku edhe i gabimeve të tmerrshme politike të Hashim Thaçit, i cili ia nguli secilës parti politike me të cilën bashkëpunoi, i cili i gënjeu qytetarët tri herë në ditë, e i cili së fundi del ta ketë humbur edhe besimin e ndërkombëtarëve – por meriton të dënohet politikisht thjesht duke qenë lider i kësaj partie. E pra, Veseli e donte ‘forcën e imazhit’, atë lloj force që i mund fjalët, që e bën opinionin të kthejë vëmendjen e t’i japë besim në seriozitetin e tij. Ama, vëmendja iu kthye me forcë fytyrës si një grusht që do ta mbajë mend mirë.

Kjo lëvizje padyshim shenjon një ndër shpurdhjet e fundit të kësaj partie si parti politike. Është e kuptueshme që humbja e mbështetjes ndërkombëtare, shthurja e klientelizmit, abuzimi me ligjërimin e luftës, abuzimet me qeverisjen e vendit që nga ngjizja e saj embrionale, domethënë edhe para se të lindej si parti, do ta bëjnë të rrëzohet e të mbetet si një kujtim i keq!

Shpërndaje në: