Edhe deputetët e pozitës mund të votojnë kundër demarkacionit
Derisa kanë mbetur edhe pak ditë kur ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi do të jetë pikë e rendit të ditës në senacën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, përveç deputetëve të opozitës që tashmë dihet se do të votojnë kundër këtij demarkacioni, këtë ka gjasa ta bëjnë edhe deputetë të pozitës.
Disa nga deputetët e partive në pushtet ende janë në dilemë se si do të votojnë për këtë çështje. Njëri nga këta deputetë është njëherish edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. Ai ka thënë për portalin ” Lajmi.net” se vazhdon të ketë qëndrimet e njëjta si më parë kur ka kundërshtuar mënyrën se si është arritur marrëveshja e demarkacionit, duke shtuar se ende vazhdon të jetë në dyshime se si do të votojë për këtë çështje.
Mirëpo, pavarësisht qëndrimeve të tij, ai ka bërë të ditur se organet drejtuese të partisë kanë marr vendim që kjo marrëveshje të votohet dhe se është obligim nga secili deputet t’i respektojë ato, pavarësisht qëndrimit personal, ndonëse sipas tij, praktikat kanë treguar se jo gjithë herë është respektuar vendimi i partisë nga deputetë, dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në këtë rast.
“Vendimet Këshillit Drejtues, Kryesisë dhe grupit parlamentar janë të obligueshme për secilin pa marr parasysh qëndrimin e tij personal, edhe pse shumë herë ne nuk i kemi respektuar vendimet e partisë dhe deputetët kanë votuar kundër qëndrimit të grupit parlamentar. Tani me qenë që kjo është një praktikë tek ne dhe tek gjitha partitë, të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet, nuk mundem me paragjyku për askënd dhe nuk jam i sigurt as për vetën sepse nuk më ka bind asnjëra palë”, ka thënë Haliti për lajmi.net.
Haliti ka hedhur kritika edhe kundrejtë Komision Shtetëror për këtë demarkim, duke theksuar se ky komision nuk ka pasur aq fuqi sa të ndryshojë diçka në lidhje me këtë çështje.
“Ky komision kam përshtypje si ka pa disa harta dhe ka ngrënë dreka e darka, dhe nuk ka pasur fuqi dhe mundësi me ndryshuar as marrëveshjen e Kumanovës, Pakon e Ahtisarit as marrëveshjen e Vjenës që është zhvilluar në kuadër të bisedimeve”, ka thënë Haliti.
Ndërkaq, në mesin e deputetëve të opozitës që deri më tani kanë dekaluara që do të votojnë kundër demrakcionit janë Vjosa Osmani, Shpejtim Bulliqi, Shaip Muja, Nait Hasani si dhe ish – deputetja nga PDK-ja, tani deputete e pavarur, Margarita Kadriu.



