Edhe Kurti takon Pahorin, i thotë që “një shtet s’i nënshtrohet një individi”

Edhe Kurti takon Pahorin, i thotë që “një shtet s’i nënshtrohet një individi”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të hënë ka pritur në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, të cilit i ka thënë që “nuk asnjë individ të jetë më i fortë se shteti”

Në këtë takim, Kurti shprehi mirënjohje ndaj shtetit slloven për kontributin që ata e kanë dhënë në misionin e NATO-s në Kosovë.

I pari i qeverisë tha se Kosova është e përkushtuar për anëtarësim në NATO dhe BE, ku kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësim në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

“Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur raste njëshifrore të vdekjeve të të prekurve me COVID 19, deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë rreth 65 për qind”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

Në këtë takim, Kurti gjithashtu foli edhe për përkushtimin, që sipas tij, qeveria po e bën në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa përmendi që Policia e Kosovës ka realizuar rreth 500 operacione e rreth 900 bastisje si dhe ka shkatërruar 41 grupe kriminale.

“Nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të jetë më i fortë sesa shteti ligjor”, u shpreh Kurti.

Kurti më tej tha se përmirësimi i politikave qeverisëse ka rezultuar me rritje ekonomike, teksa theksoi parashikimin e BQK-së për rritje ekonomike prej 9.9 për qind në vitin 2021.

“Kur nuk ka korrupsion në qeverisje, qytetarët shpenzojnë më shumë dhe i paguajnë tatimet me rregull, sepse nuk frikohen që paratë e tyre do të keqpërdoren”, ka thënë Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, presidenti Pahor në këtë takim, u shpreh i interesuar që të shoh progres në dialogun Kosovë – Serbi, ku tha se përkundër vështirësive, bisedimet duhet të vazhdojnë.

“Kryeministri e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Reflektimet e Serbisë për dëmet, shkatërrimet dhe krimet e shkaktuara, për Kurtin janë parakusht për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve, teksa ritheksoi si parësore vendosjen në qendër të bisedimeve njohjen e ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.

Shpërndaje në: