Edhe në Ukrainë, Scholz ia qet në mend Macronit vizat për Kosovën

Edhe në Ukrainë, Scholz ia qet në mend Macronit vizat për Kosovën

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka folur për premtimet e pambajtura ndaj Ballkanit Perëndimor edhe gjatë vizitës në Ukrainë në konferencën për media me presidentin Zelensky, presidentin e Francës Emmanuel Macron, kryeministrin e Italisë Mario Draghi dhe presidentin e Rumanisë Klaus Iohannis.

Premtimet ndaj Ballkanit përfshijnë edhe çështjen e vizave për Kosovën, për çka tashmë pritet të ketë diskutime konkrete në Bruksel, por ende s’dihet a do të mund të arrihet pajtimi.

Duket që treshja e BE, Gjermania, Franca e Italia janë të gatshme që t’ia japë statusin e vendit kandidat Ukrainës me një vendim që mund të merret me 23 qershor kur të mblidhen shefat e BE’së. Pikërisht kjo ditë do të jetë vendimtare edhe për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, nëse arrihet konsensusi i 27 vendeve anëtare. Kancelari Scholz është kujdesur t’ia përmendë Macronit, deri më tani hezitues për heqjen e vizave për Kosovën.

Scholz ka thënë se premtimet ndaj vendeve të Ballkanit duhet të mbahen.

“Është çështje e kredibilitetit europian që përfundimisht t’i përmbushim premtimet tona ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që me vite janë në këtë rrugë; tani dhe konkretisht”, ka thënë Scholz gjatë konferencës.

Shpërndaje në: