Edhe një premtim më shumë se do të dënohen ndotësit e ajrit

Edhe një premtim më shumë se do të dënohen ndotësit e ajrit

Është krijuar një perceptim se Prishtina është qyteti me ajrin më të ndotur në botë, mirëpo kjo nuk është reale. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, duke shtuar se Kosova sa i përket ndotjes së ajrit është përafërsisht në të njëjtin në nivel me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Shala ka thënë se institucionet e vendit do të jenë të pamëshirshme ndaj ndotësve, për çka ka bërë të ditur se është kërkuar edhe nga Qeveria që të zbatohen ligjet dhe aktet tjera nënligjore sa i përket sanksionimit të ndotësve të ambientit.

Shala gjithashtu ka thënë se Ministria që ai drejton e ka prezantuar para Qeverisë, Planin e Veprimit, plan ky që sipas tij, në detaje i sqaron shkaqet e ndotjes dhe masat që duhet të ndërmerren. Ndotësit kryesorë sipas Shalës janë: termocentrale, ekonomitë familjare të cilat përdorin thëngjillin, bizneset tjera si dhe automjetet. Ai gjithashtu ka thënë se javët e fundit ka ndikuar negativisht edhe mungesa e erërave për ta larguar ajrin e ndotur.

Shpërndaje në: