Edhe prindërit dalin kundër kushtit të Qeverisë së Kosovës për orët e humbura

Edhe prindërit dalin kundër kushtit të Qeverisë së Kosovës për orët e humbura

Këshilli i Prindërve të Kosovës është deklaruar kundër kompensimit të orëve të humbura të mësimit si pasojë e grevës në arsim, ditëve të shtuna.

Këshilli përmes një deklarate të lëshuar të premten, ka thënë se mësimi të shtunave e dëmton procesin mësimor për ditët e tjera të javës.

Sipas tij, shumë fëmijë ditëve të shtuna janë të angazhuar në aktivitete apo gara të ndryshme sportive e kulturore.

“Ne besojmë se kompensimi i orëve të humbura duhet të ishte deleguar në nivel të shkollave, meqë shumica e shkollave në Kosovë nuk e kanë problemin e mbingarkesës me nxënës (pra punojnë me një ndërrim), dhe kompensimi mund të ishte bërë gjatë ditëve të javës. Këshillat drejtues të shkollave do të duhej ta informonte Ministrinë e Arsimit (me qëllim mbikëqyrjeje) për planin e kompensimit (sikurse ka ndodhur me Task Forcat gjatë pandemisë për dy vjet e gjysmë)”, thuhet në deklaratë.

Sipas këshillit, prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato.

“Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore”, thuhet po ashtu në deklaratë.

Greva në sektorin publik të Kosovës është mbajtur nga 25 gushti e deri më 1 tetor kur u shpall e pezulluar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Greva do të mbetet e pezulluar deri në janar të vitit 2023.

Shpërndaje në: