Edhe pse me një anëtar më pak, KQZ shprehet e gatshme për zgjedhjet

Edhe pse me një anëtar më pak, KQZ shprehet e gatshme për zgjedhjet

Me votat e tyre deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë ditës së djeshme i kanë dhënë fund legjislaturës së gjashtë të Parlamentit të Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se shumë shpejt do të shpallë datën e zgjedhjeve.

 

 

Në anën tjetër në Komisionin Qendror Zgjedhor kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për zgjedhjet, dhe se kanë filluar disa përgatitje rutinore të cilat i ka lejuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka ka deklaruar se janë duke pritur datën e saktë nga Presidenti për të filluar përgatitjet intensive për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“KQZ që nga momenti i dorëheqjes së kryeministrit e kemi ditë që herë apo vonë zgjedhjet do të mbahen dhe kemi filluar me përgatitje rutinore aq sa na ka lejuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Dhe në momentin kur ta kemi datën e saktë nga presidenti i Republikës , ne do të filloj seriozisht të merremi me zgjedhjet”, thotë Daka.

Ndonëse është përfolur si datë e mundshme për ditën e zgjedhjeve 6 tetori, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor ka deklaruar se gjatë takimeve që ka pasur me presidentin, Hashim Thaçi, i ka rekomanduar disa data  për të cilat nuk pranoi të flas.

Lidhur me afatet kohore për fushatën zgjedhore Daka tha se kjo varet nga arsyeshmëria që do ofrojnë partitë politike për zgjatjen e fushatës zgjedhore, dhe më pas kjo do jetë në dorën e KQZ-së.

“Natyrisht unë i kam shprehur mendimet e mija lidhur me datat eventuale dhe me mundësinë që të na jepet sa më shumë  mundësi për organizimin e zgjedhjeve, pra që të kemi data optimale në kuadër të 45 ditëshit ashtu siç e parasheh Kushtetuta…Nuk kisha dashur të prononcohem megjithatë përzgjedhja e datës është e drejtë dhe në diskrecion të presidentit dhe vetëm ai ka të drejtë ta informoj publikun lidhur me data…. “Ne do të shohim këtu kemi përfaqësues të partive politike të shohin arsyeshmërinë  e zgjatjes së fushatës zgjedhore dhe vetëm pas asaj ne do të dalim me një vendim”, shprehet kryetarja e KQZ-së.

Edhe pse në KQZ deklarojnë se janë të gatshëm për zgjedhje këtij komisioni ende po i nuk mungon edhe  një anëtar i ish koalicionit PAN.

E për këtë kryetarja e KQZ-ës, Valdete Daka tha se ajo është kompetencë e Presidentit të vendit, dhe se mungesa e një anëtari brenda KQZ nuk do jetë pengesë.

“KQZ me Kushtetutë duhet të jetë në përbërje prej 11 anëtarëve së bashku me mua, megjithatë ne në përbërjen tonë nuk e kemi edhe një anëtar të ish koalicionit PAN dhe kjo çështje është çështje për të cilën është,në kompetencë të presidentit jo të tonën, e gjithsesi ne edhe pse kemi mungesë të një anëtari do t’i kryejmë të gjitha detyrat dhe obligimet tona ashtu siç parashihet me Kushtetutën, pra ajo nuk është pengesë , por gjithsesi do të ishte më mirë që ishin të gjithë“, thekson Daka.

Me qëllim që i gjithë procesi zgjedhor të shkojë mirë, Daka tha se tanimë ky Komision ka bërë një plan të veprimit gjatë periudhës jashtë zgjedhore, por që kjo sipas saj varet edhe nga subjektet politike.

“KQZ tashmë i ka rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtar , vëzhguesve vendor dhe ne jemi munduar që në këtë periudhën jashtë zgjedhore të bëjmë një plan të veprimit dhe të fokusohemi në përmirësimin e organizimit të zgjedhjeve, gjithsesi ne do të bëjmë të gjitha ato çka na lejon ligji e Kushtetua, pastaj në fund përsëri u mbetet subjekteve politike dhe atyre të cilët në ditën e zgjedhjeve e kanë tërë procesin në duart e tyre të vendosin  se a do kemi zgjedhje fer dhe të drejta apo jo”, theksoi e para e KQZ-së.

Lidhur me rishikimin e listave votuese Daka tha se KQZ nuk i menaxhon listat, pasi që ato janë pronë e Agjencionit për Regjistrimin Civil.

Kryetarja e KQZ-së po ashtu ka deklaruar se derisa nuk është e ditur data se kur do mbahen zgjedhjet partitë politike nuk mund të aplikojnë që të jenë pjesë e garës në këto zgjedhje të parakohshme.

Daka ka siguruar që procesi zgjedhor do të mbahet në gjithë territorin e Kosovës, duke përshirë edhe veriun.

Kujtojmë që deri tek zgjedhjet e parakohshme erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit. Këtë vendim ai e mori pas ftesës që  të paraqitet në Gjykatën Speciale si i dyshuar.

Pas kësaj Presidenti i vendit u kishte kërkuar koalicionit qeverisës një emër për mandatar në postin e shefit të Qeverisë por kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, KadriVeseli, i ishte përgjigjur si lider i koalicionit duke i kërkuar zgjedhje të reja, ndërsa Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që dje më 22 gusht 2019 të jetë seanca për shpërndarjen e Kuvendit ashtu edhe siç ndodhi.

Shpërndaje në: