Edhe qyteza e Shtimes bëhet me bredh të plastikës

Edhe qyteza e Shtimes bëhet me bredh të plastikës

Komuna e Shtimes për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit do të shfrytëzojë materialin e vitit të kaluar, bredhin, pankartat e mbishkrimet.

Komuna nuk ka kontraktuar ndonjë kompani për dekorimet e qytetit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Zyrtari për Informim nga Komuna e Shtimes, Ibrahim Demiri, bëri të ditur se qyteti do të dekorohet me ndihmën e klubit të bizneseve të komunës.

“Komuna nuk ka kompani të kontraktuar që  merret me dekorimin e qytetit dhe e gjithë puna bëhet me aktivitetet e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport përmes aktiviteteve të rinisë dhe punës vullnetare të bizneseve të komunës,” tha Ibrahim Demiri.

Ai tregoi se Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport (DKRS) si dhe Drejtoria për Shërbime Publike do të shfrytëzojnë materialin e vitit të kaluar për të sjellë atmosferë feste në Shtime.

Gjithashtu kjo komunë nuk ka planifikuar ndonjë organizimi të veçantë për fundvit e as festë me fishekzjarrë.

Dekorimet në bredhin e parkut të këtij qyteti tashmë kanë filluar.

KALLXO.com atmosferën festive të fundvitit në disa prej qyteteve kryesore të vendit e ka xhiruar me kamerat 360 shkallë.

Shpërndaje në: